Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka përmbyllur vizitën në Tiranë, teksa ka takuar fillimisht presidentin e FSHF-së, Armando Dukën dhe më pas kryeministrin Edi Rama.

Ceferin ka qenë i qartë në mesazhet që ka përcjellë, duke theksuar se politika duhet të qëndrojë jashtë procesit zgjedhor të FSHF, nisur nga fakti se në këtë pjesë nuk ndërhyn as UEFA vetë.

Ndërkaq, ka vendosur “pikat mbi i”, duke shprehur se në rast se politika vazhdon me ndërhyrjet e saj në zgjedhjet e FSHF, atëherë pasojat për Shqipërinë do të ishin katastrofale dhe kjo jo vetëm në pjesën sportive, por edhe në aspektin politik.

“Erdha sot për të vizituar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për të takuar z. Armand Duka, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në parim UEFA nuk ndërhyn në proceset zgjedhore, por ne duam zgjedhje të ndershme dhe nuk duam asnjë ndërhyrje nga palë të tjera.

Pata gjithashtu një takim me Kryeministrin Rama sot, ne ishim të pak të shqetësuar për situatën sipas raportimeve që kemi lexuar në media. Jam i kënaqur që ramë dakord me Kryeministrin, që futbolli duhet të vendosë për futbollin. UEFA do të japë të gjithë mbështetjen e saj, do të sjellë përfaqësues këtu për të verifikuar korrektesën e zgjedhjeve dhe sigurisht që të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë jashtë futbollit.

Gjëja më e rëndësishme këtu është që kjo situatë nuk e ndihmon futbollin shqiptar. Duhet të ketë qetësi, ne jemi gati të ndihmojmë që çdo gjë të jetë e qetë, çdo gjë duhet të jetë transparente dhe me qeverisje të mirë. Nuk dua të hyj në deklaratat e askujt që vijnë nga aktorë lokalë.

Pasi kemi lexuar artikujt në media ne ishim pak të shqetësuar për finalen e UECL, por fola me Presidentin e FSHF-së dhe me Kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam.

Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces. Nëse gjërat do të jenë kështu dhe unë kam shumë besim në fjalët e Kryeministrit, atëherë zhvillimi i finales së Conference League këtu është i sigurt. Tani do të shohim përpara, sepse është finalja e parë e UEFA Europa Conference Leaguë në histori”.