Shqipëria fitoi edhe sonte ndaj Bullgarisë në shifrat 2-0 dhe një nga lojtarët që vazhdon të shkëlqejë në rradhët e saj është padyshim mbrojtësi i majtë, 20 vjeçari me origjinë nga Vermoshi i Malësisë së Madhe, Mario Mitaj.

Vlerësimet për këtë lojtar janë maksimale dhe çdo ditë e më shumë, specialistët po e vlerësojnë për personalitetin që po shfaq në fushën e lojës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe ish- futbollisti i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare Çlirim Basha që në emisionin “Sport Shoë” në lidhje me këtë lojtar është shprehur:

“Mitaj është i jashtëzakonshëm. Me atë moshë që ka dhe me atë që po shfaq në fushën e lojës është për t’u veçuar. Eshte hera e pestë apo e gjashtë që po luan nga 90 minuta me kombëtaren tonë dhe të mos bëjë asnjë gabim është diçka e veçantë.

Ai po luan jo si të jenë ndeshjet e tij të para, por sikur të ketë nja 20 vjet si futbollist profesionist. Çdo top që i vjen, e piketon se ku don ta çojë, me dopio- passe. Nëse vazhdon kështu, deri në vitin 2035 besoj se e kemi mbyllur çështjen e mbrojtësit të majtë.

Shqipëria po bën mirë dhe na ka gëzuar të gjithëve. Jemi mësuar gjithë këto vite me trajnerë italianë që kanë pëlqeyer më shumë katenaçion dhe lojën difensive dhe ardhja e Silvinjos, një trajner brazilian, ka bërë që tashmë Shqipëria të fokusohet tek futbolli sulmues dhe për më tepër lojtarët tanë po shënojnë gola për të cilët po flet e gjithë Europa”./SHKODRA-SPORT.COM/