Trajneri i njohur shkodran Armando Cungu, është i ftuar nëpërmjet një lidhje live në “Skype” për emisionin “Sport News”, të moderatores Trevisa Tufa, teksa fillimisht foli për grumbullimin e futbollistëve nga Superiorja për 2 ndeshje miqësore ndaj Arabisë Saudite dhe ndaj Katarit:

“Është një vendim i mirë, trajneri Reja duhet mbështetur dhe përgëzuar. Futbollistët e Superiores, kanë qenë gjithmonë në vëmendjen e tij. Ka qenë në stadium në ndeshjen e forta, për të parë lojtarët që mund të jenë potencialisht prezent për ekipin kombëtar. Ka qenë një program i detajuar në ndeshjet miqësore për t’u fokusuar te futbollistët e Superiores. Këto ndeshje do t’i vlejnë për të dalë në konkluzionet e duhura, për eliminatoret e radhës.

Gjithkush bën llogaritë e veta, jam dakord me pretendimet e Josës dhe Kolelës, gjithkush mbron interesat e klubit të vetë. Janë lojtarë që kanë mbajtur tonin ekipeve. Një dëmtim i tyre prish balancat. Në finale nëse mendojmë kështu, të gjithë jemi dakord që po kontribuojmë për Kombëtaren, për të pasur përfaqësimin e duhur.

Kombi ka më shumë rëndësi se klubi. Edhe Josa apo të tjerë, bien dakord dhe janë pro përparësisë së Kombëtares. E rëndësishme është që këta lojtarë të japin maksimumin për Kombëtaren. Është ëndrra apo dëshira e çdo futbollisti.Reja është një profesionist i vërtetë. Ka kontribut në këtë vazhdimësi.

Nuk duhet të harrojmë punën e mirë dhe rezultatet jashtëzakonisht të mira. Ne zakonisht harrojmë rezultatet dhe sukseset dhe kapemi në situatat jo të këndshme. Reja është trajneri që ka grumbulluar më shumë pikë nga të gjithë trajnerët e Kombëtares. Ka bërë një punë shumë të mirë”, u shpreh Cungu.