Me Tefik Osmanin thuajse të larguar, drejtuesit e Vllaznisë kanë filluar të mendojnë për zëvendësimin e tij. Një mbrojtës serb ka ardhur në provë tre ditët e fundit e bashkë me të edhe shqiptari I ardhur nga Amerika Ardit Dushkaj. Ndërkohë që sot pritet të mbërrijë edhe një lojtar tjetër për provë. Bëhet fjalë për malazezin Darko Markoviç. Lajmi bëhet I ditur nga burime pranë klubit shkodran sipas të cilëve, lojtari I është sugjeruar atyre nga një menaxher I njohur. Markoviç në pamje të parë është një lojtar cilësor. Ai ka një CV të mirë dhe për rrjedhojë pritet me interes në Shkodër. Ai është 26 vjeç dhe ka lindur në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë dhe luan në mesfushë. Për rrjedhojë, karrierën e ka nisur me skuadrën më të mirë të këtij vendi, Buduçnostin. Luan me të tre sezone para se të kalojë tek Zeta për katër sezone të tjera ndërkohë që më pas luan në Uzbekistan për tre sezone të tjera me skuadrën Pakhtakor. Rikthehet për pak kohë në Mal të Zi tek Deçiç për t’u larguar sërish jashtë vendit, këtë herë në Hungari me Ujpeshtin. Në fillim të këtij sezoni ka firmosur me Mogren por për arsye financiare dëshiron të largohet sërish prej aty. Markoviç gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe 12 ndeshje me kombëtaren U-21 të Malit të Zi ku ka shënuar edhe tre gola ndërkohë që ka luajtur edhe në dy ndeshje me kombëtaren e madhe të vendit të tij. Prania e tij në miqësoren e sotme por edhe të nesërme ndaj Tërbunit, do të jetë testi më I mirë për të nëse do të vazhdojë të qëndrojë tek Vllaznia apo jo. Bëhet e ditur se ky lojtar ka pasë kërkesa edhe nga Kastrioti por ai dhe menaxheri I tij kanë menduar si më të arsyeshme ofertën e Vllaznisë.
Mali I Zi. Tregu I këtij vendi pritet të jetë një mundësi e mirë për përforcimin e skuadrës shkodrane. Trajneri që mendohet të vijë në krye të saj Artan Bushati, e konsideron ndoshta si të vetmen mundësi për të gjetur ndonjë lojtar që mund t’ia vlejë. Për rrjedhojë, edhe Markoviç është një mundësi e mirë. Fakti që ka një karrierë të pasur, në Mal të Zi por dhe jashtë, apo dhe ngaqë ka qenë kontigjent I ekipeve kombëtare, I shton mundësitë që ai të vishet kuqeblu. Vllaznia ka një mundësi të mirë për të marrë lojtarët më të mirë të kampionatit malazez, skuadrat e të cilit po kalojnë një krizë të thellë dhe për rrjedhojë pagesat e futbollistëve janë shumë të ulëta. Në sezonet e kaluara skuadra shkodrane ka patur një numër më të madh lojtarësh malazezë ndërsa sivjet janë vetëm dy, portieri Vujadinoviç që dallohet për nivelin e tij të lartë dhe mesfushori Deliç, edhe ky me të dhëna shumë të mira veçse ende jo në kondicionin më të mirë fizik si pasojë e dëmtimeve që ka patur më përpara. Darko Markoviç mund të bëhet kësisoj futbollisti I tretë nga ky vend megjithatë duhet pritur edhe disa ditë për ta parë atë më mirë në fushën e lojës. Dy miqësoret e njëpasnjëshme do jenë një mundësi e mirë për ta provuar atë por edhe dy futbollistët e tjerë të ardhur për provë.
Gjergj KOLA