“Humbja” më e rëndë e Tiranës në ndeshjen e dytë ndaj Beshiktashit ndoshta nuk ishte rezultati i sfidës. Portieri Gentian Selmani la fushën e lojës i dëmtuar në pjesën e parë dhe u mësua se ai kishte pësuar frakturë në këmbë dhe se kjo do ta mbajë për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës. Por për të mësuar se sa do të jetë kjo kohëzgjatje, do të priten edhe 2-3 ditë.

Pas vizitave të para mjekësore dhe konsultës me specialistë, është vendosur që rishikohet situata pas 2-3 ditësh. Nga burime pranë klubi mësohet se do të ketë një konsultë tjetër për të vendosur nëse ndërhyrja kirurgjikale është e pashmangshme apo jo.

Gjithsesi, rreziku që të qëndrojë larg fushave është i madh dhe projeksioni është janari dhe mos më shumë. Nga kjo do të ndikojë edhe kohëzgjatja e riaftësimit për portierin dhe gjithashtu edhe strategjia e bardhebluve për portën.

LËVIZJA – Mjekët kanë këshilluar klubin që të hyjë në merkato për portier të ri. Ilion Lika është një portier me shumë eksperiencë dhe cilësi. Por nëse konfirmohet varianti i një mungese shumëmujore për Selmanin, bardheblutë mund të jenë të detyruar të kthehen në merkato për një tjetër emër për katërkëndorin e tyre, qoftë edhe si alternativë e veteranit.

NGJARJA – Lojtari, në një rast këndor, u godit në minutën e 30-të nga Muleka dhe përplasja rezultoi fatale. Lojtari doli nga fusha me barelë dhe u nis me urgjencë në spital, pasi nuk e ndiente këmbën. Stafi mjekësor më pas konfirmoi thyerjen e këmbës.