Reali i Madridit ka nisur një fushatë faraonike përforcimesh dhe Eden Hazard është sinjali më i qartë se Florentino Perez kërkon ta rikthejë klubin legjendar në vendin që i takon, pas një sezoni të zi.

Megjithatë, shumë yje në ekip krijojnë edhe pakënaqësi, sepse disa lojtarë nuk kanë mundësi të luajnë rregullisht, ndaj ka edhe të pakënaqur.

Një ndër lojtarët që kërkon largimin nga Reali është portieri Keylor Navas, i cili para pak javësh ka mësuar nga Zinedine Zidane se Thibaut Courtois do të jetë titullari për sezonin e ardhshëm.

Zidane nuk dëshiron të bëjë shumë ndryshime në portë, ndaj Navas ka kërkuar largimin, por me kushtet e tij. 32-vjeçari nga Kosta-Rika kërkon që Reali t’i paguajë pagën e dy sezoneve që i mbeten në kontratë dhe ta lejojë të largohet falas, diçka anormale dhe që natyrisht Reali nuk ka ndërmend ta pranojë, sepse kërkon të paktën 20 milionë euro për portierin e vet.

Edhe klubet që e duan Navas janë frenuar nga kërkesat e tij të çmendura: 3 vjet kontratë, 7 milionë euro neto në sezon dhe një vend në formacionin titullar! Gjithsesi, PSG është gati t’ia plotësojë këto kërkesa, me kusht që portieri të largohet falas nga Reali./telesport/