Mbrojtësi shkodran Elseid Hysaj po bëhet gati që t’i japë lamtumirën Lacios pas vetëm një sezoni, për të provuar një tjetër eksperiencë, këtë rradhë larg Italisë. Mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë pritet të zbarkojë në La Liga, ku e kërkon me ngulm Valencia e Gennaro Gattuso, me të cilin ka punuar edhe te Napoli.

Trajneri italian e njeh mirë Hysajn nga eksperienca e tij te Napoli, prandaj u ka kërkuar drejtuesve që të kontaktojnë me të dhe ta bëjnë pjesë të projektit të ri. Kështu, sipas “La Repubblica”, Hysaj dhe klubi spanjoll, kanë gjetur akordin për rrogën dhe janë dakord për transferimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pengesë bëhet vetëm kërkesa e Lacios për futbollistin, të cilin një vit më parë e siguroi me parametër zero, pasi i kishte mbaruar kontrata me Napolin. Klubi bardhekaltër kërkon 5-milionë euro për kartonin e tij dhe Valencia për momentin, nuk është dakord.

Në fakt, nuk është ndonjë shifër e lartë e kërkuar nga ana e Lazios. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të veprojë Valencia për transferimin e mbrojtësit shkodran Elseid Hysaj.

Spanjollët do të pranonin këtë shifër vetëm nëse do të konvertohej në bonuse të ndryshme në bazë të arritjeve sportive. Bisedimet vazhdojnë, por Elseid Hysaj duket gjithnjë e më afër klubit të njohur spanjoll, Valencia.
Maringlen ZHIVANI