Në barazim 0-0 është mbyllur sfida hapëse e kampionatit, ajo e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës në mes Tërbunit dhe Burrelit. Pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, asnjëri nuk ka arritur dot të shënojë dhe në këtë mënyrë ato kanë ndarë nga një pikë në këtë ndeshje të parë.

Ajo ka nisur me një shkelmim të topit të parë të kampionatit nga veterani i futbollit pukjan Shkëlzen Sulejmani. Tërbuni e nisi vrullshëm ndeshjen dhe në minutën e 5-të Keko ka qenë shumë pranë golit teksa mori një top të gjatë nga Gjoka. Presioni i vendasve u rrit dhe në minutën e 10-të Gjoka gjuan nga jashtë zone dhe topi ndalet në shtyllë.

Rastet shtohen dhe janë sërish Gjoka, Metani dhe Keko që kanë përsëri mundësi shënimi por gabojnë para portës së Kocës. Shansin më të mirë për shënim e ka patur futbollisti Savio Marku që vetëm për vetëm me portierin në minutën e 41-të, nuk arrin të shënojë. Në këtë pjesë loje, Burreli i kushtoi më shumë rëndësi mbrojtjes dhe pati vetëm një rast në favorin e saj në minutën e 31-të me një gjuajtja nga larg. Pjesa e parë u mbyll kësisoj në barazim 0-0.

E dyta filloi vrullshëm për Tërbunin dhe Keko për çudi të të gjithëve vetëm për vetëm me portierin nuk shënon dot. Presioni i vendasve u rrit por goli nuk doli në dritë. Në minutën e 86-të ka qenë Gjinollari që ishte shumë pranë golit, por topi i gjuajtur prej tij u ndal nga portieri Kuka. Edhe në minutën e 90-të ka qenë sërish Keko që për vendasit ka një tjetër mundësi shënimi, por duket se nuk ka qenë dita e tij dhe në këtë mënyrë, i gjithë takimi u mbyll në barazim pa gola 0-0.

Një rezultat që padyshim nuk i ka kënaqur pukjanët të cilët e kanë dominuar ndeshjen dhe duhej patjetër të kishin marrë tre pikët në këtë ndeshje, ndonëse kishin mungesa të rëndësishme në formacion si ato të Hysës, Milotit, Lilajt dhe Saliaj. Elvin Beqiri ne kete menyre debuton me barazim ne pankinen e Terbunit./SHKODR-SPORT.COM/