Erjon Vucaj nuk mund të quhet ende një lojtar i Luftëtarit, pasi nuk e ka marrë lejen e kalimit nga Vllaznia.

Dje mesfushori ka qenë në Shkodër për të takuar kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi, në mënyrë që të gjejë gjuhën e përbashkët.

“Kam kërkuar të takoj kryebashkiaken Ademi për të më dhënë lejekalimin, që të luaj për ndeshjen e Ligës së Europës me klubin e Luftëtarit.

Nuk e kam arritur një gjë të tillë dhe kjo më penalizon për të qenë pjesë e ekipit që nesër, pasi do të nisë faza përgatitore në Slloveni.

Nuk e di nëse do të arrij që të marr OK-in e klubit, por dëshira ime është që të isha me Luftëtarin në Ligën e Europës”, ka thënë dje Vucaj për “Panorama Sport”.

Mesfushori është i bllokuar nga klubi shkodran, pasi ka një kontratë 1- vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër sezon.

Në këto kushte, para se t’i jepet leja e kalimit, duhet që të ulet në bisedime me drejtuesit e klubit. Për momentin kjo duket e vështirë, sepse administratori i Vllaznisë ka dhënë dorëheqjen dhe ende nuk është emëruar i riu.

“Nuk e di ku duhet të drejtohem. Në njëfarë mënyre jam i bllokuar nga ana e klubit. Unë do të ulem dhe të diskutoj për të ardhmen time me Vllazninë dhe nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet, atëherë do të shikoj mundësi të tjera”, përfundoi fantazisti.