Dinamo e mbylli me humbje fazën e tretë në Abissnet Superiore teksa blutë e kryeqytetit pësuan një disfatë që “djeg” me rezultatin 0-2 duke konsideruar se dështimi erdhi përballë një kundërshtari direkt për mbijetesën si Egnatia.

As ndryshimi i trajnerit nuk ka dhënë efekt te skuadra, me italianin Rodolfo Vanoli që koleksionoi humbjen e dytë radhazi prej kur ka marrë drejtimin e skuadrës. Ndërkaq, nëse iu hedh një sy statistikave të cilat Dinamo ka regjistruar përgjatë fazës së tretë, atëherë qartësisht evidentohet një ekip në vështirësi ekstreme dhe që nuk ka hapin e duhur për të konkurruar denjësisht në elitë.

Kështu, Dinamo në nëntë ndeshje, ka grumbulluar vetëm 4 pikë nga 27 të mundshme duke u dorëzuar në shtatë humbje, ndërsa ka barazuar në një rast në ndeshjen ndaj Partizanit e më pas ka edhe një fitore të vetme, të arritur përballë Skënderbeut.

Sakaq, në ndryshim nga faza e dytë, Dinamo ka mbledhur pesë pikë më pak (e mbylli fazën e dytë me 9 pikë), ndërsa edhe në aspektin realizativ është më dobët. Nëse në fazën e dytë, rrugën e rrjetës e gjetën në 3 raste, në fazën e tretë iu gëzuan vetëm dy realizimeve të Sofranac e Mihanës të cilët shënuan respektivisht ndaj Vllaznisë e ndaj Skënderbeut.

Po ashtu, më keq ekipi është shfaqur edhe në pjesën difensive pasi nëse në fazën e dytë kishin pësuar nëntë gola, në fazën e tretë, janë detyruar ta nxjerrin topin nga porta e tyre në 11 raste.

Këto shifra, lejnë pak vend për optimizëm mbi atë që mund të arrijë skuadra kryeqytetase në fazën e katërt duke njohur edhe ecurinë e rivalëve të Egnatias apo Kastriotit, skuadra që tashmë janë pesë dhe shtatë pikë më shumë se “nëndetësja blu” në klasifikim. Këtë herë duket e vështirë që Dinamo të dalë në sipërfaqje edhe pse përsa kohë matematika ia lejon, historia e detyron të luftojë deri në fund.