Flamurtari nuk ka në plan që të ndalet, josh Behar Ramadanin. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht arritjen e akordit me shkodranin. Mesfushori i ka thënë “po” Sinan Idrizit dhe sezonin 2021- 2022 do të ndihmojë kuqezinjtë që të ngjiten në Kategorinë e Parë.

Pas prezantimit të Bicajt, Gocajt, Ribajt dhe Liçajt, vlonjatët po dëshmojnë se e kanë marrë më shumë se seriozisht ringritjen. 31-vjeçari ishte dje në Vlorë, ku ka zhvilluar edhe një takim me drejtuesit e klubit dhe ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit. Behar Ramadani është një lojtar me eksperiencë dhe do t’i bëjë shumë punë skuadrës në mesin e fushës.

Më parë ai qenë pjesë e shumë skuadrave, si Luftëtarit, Vllaznisë, Burrelit dhe Tërbunit, ndërsa rishtas ishte pjesë e Drenicës në Kosovë. Pritet që shkodrani të prezantohet sot si futbollist i Flamurtarit për të nisur një aventurë të re dhe për herë të parë në Vlorë.

Zgjidhet përfundimisht edhe çështja e portës. Gazeta mëson se dje është mbyllur marrëveshja edhe me Shpëtim Moçkën. Vlonjati do të jetë gardian i portës vlonjate edhe për sezonin e ri, tashmë në Kategorinë e Dytë. Ai ishte i dyzuar për të ardhmen, por administratori e ka bindur që të qëndrojë në Vlorë.

Gjasat janë që ashtu si edhe Ramadani, edhe portieri të prezantohet ditën e sotme. Por, klubi nuk do ta lërë me kaq. Ata po mundohen që të rikthejnë edhe Xhevahir Sukajn. Sulmuesi u bë kohë të gjatë pa luajtur futboll, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të kthehet. Klubi mbetet në përgjigje të shkodranit.

VLONJATËT

Duket se edhe Flamurtari i ri do të ketë në përbërje shumë lojtarë vlonjatë. Dritan Resuli ka shprehur pëlqimin e tij për disa nga lojtarët e rinj dhe të akademisë vlonjate. Gazeta mëson se ata që do të vijojnë të jenë pjesë e kuqezinjve janë Mateo Qarri, Gersi Diamanti, Vangjel Gjipali, Reinaldo Mukoj dhe Geraldo Ballaj. Patjetër që trajneri i njeh mjaft mirë cilësitë e këtyre lojtarëve pasi i ka stërvitur vetë.