Ndeshja e së mërkurës në kampionat ndaj Partizanit që do të zhvillohet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” konsiderohet vendimtare për basketbollistët e Vllaznisë në ecurinë e tyre të mëtejshme në kampionat. Trajneri Bledar Gjeçaj është i mendimit se me një përqendim maksimal të sportistëve të tij por edhe me mbështetjen e publikut, skuadra shkodrane do të arrijë ta fitojë edhe këtë ndeshje. “Situata e pranoj që është më e mirë aktualisht. Ekipi ka arritur ta kalojë atë momentin e vështirë që kishim në fillim. Po bëhemi gati për ndeshjen me Partizanin të cilën besoj se do ta kalojmë me sukses nëse e vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin.

Unë besoj se do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë në këtë takim dhe do të marrim një fitore e cila do të na jepte një dorë të fortë në pretendimet tona për të qenë në mes dy ekipeve më të mira të vendit”- është shprehur ai. Por pavarësisht besimit në fitore, trajneri Gjeçaj ka edhe një merak tjetër, atë të vetëkënaqësisë tek basketbollistët e tij dhe shpreson që të mos ndodhë kështu këtë herë. “Pas fitores me Teutën vërej që ka entuziasëm në skuadër por kjo padyshim që nuk duhet të kalojë në vetëkënaqësi tek lojtarët. Nëse ndodh kjo atëherë do të jetë problem për të. Vërtetë e kemi mundur Partizanin brenda në Tiranë por në sport asnjëherë nuk i dihet dhe prandaj duhet ta vlerësojmë seriozisht këtë kundërshtar në mënyrë që të jemi brenda objektivave tona”- thotë numri 1 i pankinës shkodrane të basketbollit. Ndeshja Vllaznia- Partizani do të luhet të mërkurën në orën 18.00 dhe pritet me interes nga sportdashësit shkodranë që mendohet të mbushin më shumë se asnjëherë tjetër këtë sezon shkallët e pallatit të sportit.
© shkodrasport.com