Vllaznia – Kukësi ishte një ndeshje thuajse pa rivalitet në fushën e lojës, ku nuk ekzistoi madje as edhe një konflikt qoftë edhe më i vogël mes lojtarëve.

Por në tribunat e ‘Loro Boriçit’ ka pasur disi trazira. Në një moment kur pritej se nuk do kishte tifozë në tribunën kryesore kishte goxha të pranishëm.

Duke u nisur nga protesta që tifozët bënë dje para Bashkisë së Shkodrës, një lloj kontestimi pritej edhe në tribuna.

Tifozët kanë shoqëruar shpesh me vërshëllima lojarët kuqeblu. Madje në një moment u përhap edhe lajmi se Kamza kishte kaluar në avantazh kundër Laçit dhe në atë çast po zëvendësohej edhe Gilman Lika ku tifozët vërshuan me fyerje të rënda në drejtim të kapitenit të ekipit.

Një moment tensioni që duket se u shua me marrjen vesh të lajmit se ishte Laçi, ekipi që kishte kaluar në avantazh.

Por këto konflikte në distancë mes futbollistëve dhe tifozëve nxitën policinë të merrnin masat pas përfundimit të ndeshjes, duke shmangur një konflikt të mundshëm të mbështetësve të kuqebluve me futbollistët.

Ky sezon ka qenë me të vërtetë i vështirë për tifozerinë shkodrane që më shumë se kurrë në këto vite po vuajnë dhe po ndiejnë rrezikun e rënies nga Superliga.