Saliu Guindo është një nga bomberat e Supe riores dhe pikë referimi për Laçin. Jemi mësuar që ta shohim në listën e shënuesve me Bylisin, por me Laçin po tregon formë të mirë. 25-vjeçari e njeh më mirë Superioren, por tani është më “i pjekur”. Sulmuesi nga Mali ka shënuar deri më tani 10 gola, ndërsa me Vllazninë realizoi me penallti.

Në prag të sfidës së Kupës me Egnatian, Guindo është optimist, pasi beson te kualifikimi i Laçit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ai pohoi se kërkon të lërë gjurmë dhe të bëjë “tripletë” trofesh këtë sezon, titull, Kupë dhe “Këpuca e Artë”. Edhe pse iu hoq një gol, që i kaloi Aleksit si autogol, Guindo pohoi se garën e ka me veten dhe jo Seferin dhe premton se në fund të kampionatit do të ketë 20 gola.


Si është atmosfera te Laçi pasi keni mundur një rival si Vllaznia?

Atmosfera është shumë e mirë, jemi në rrugën e duhur. Bëjmë lojëra të mira dhe po marrim rezultate. Kjo është akoma më pozitive. Të vazhdojmë të ruajmë këtë ritëm.

Laçi fiton, Guindo vazhdon shënon, një binom triumfues…

Më vjen mirë që jemi në sinkron, por nuk jam vetëm unë, është e tërë skuadra. Vërtetë shënova me penallti në ndeshjen e fundit, por është një gol që vlen shumë për ne si skuadër, si dhe në aspektin personal. Më ka gëzuar shumë fitorja e skuadrës realisht.


Këtë javë keni dy sfida delikate, me Egnatin në Kupëku luani për kualifikim, si dhe në kampionat ndaj Dinamos…

Ne i marrim ndeshjet me radhë dhe jemi të përqendruar te sfida e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e parë kishim përballë një Egnatia shumë solide, por ne e vlerësuam. Duhet ta fitonim ndeshjen, e megjithatë kualifikimi u shty në fushën tonë.

Synimi është patjetër të kualifikohemi dhe të vazhdojmë më tej në Kupë, që është një nga synimet e klubit për ta fituar si trofe. Do të bëjmë të pamundurën t’i shkojmë deri në fund. Pasi të kalojmë me sukses Egnatian, sigurisht që do të mendojmë edhe për sfidën e kampionatit ndaj Dinamos.


Jeni në listën e shënuesve më të mirë, edhe pse ju kaloi Seferi. Ju erdhi keq që golin ndaj Teutës e quajtën si autogol të Aleksit?

Unë kam një natyrë që nuk mërzitem, por bëhem më i fortë dhe më pëlqen konkurrenca. Kudo ku kam luajtur e kam treguar veten. Sidomos tashmë që gara është në kulmin e vet dhe falë Zotit dhe trajnerit e shokëve, unë kam një formë shumë të mirë. Kam besim se do të shënoj më shumë gola që Laçi të jetë në krye të klasifikimit.

Konkurrencën nuk e kam me Seferin, por me veten time. Do të shënoj mbi 20 gola me Laçin në kampionat sepse ka shumë ndeshje. Do t’ia dal sepse këtu jemi një grup shumë i mirë dhe po e tregojmë me ecurinë në kampionat dhe në Kupë.


Cili nga ekipet rivale ju tremb?

Nuk më tremb asnjë, secili ka synimet e veta. Kur futesh në fushë duhet që të bëjmë më të mirën. Kam vënë re se ne kemi një ekip që luan futboll shumë të bukur. Profesor Josa na mban kompakt dhe na karikon. Janë një sërë faktorësh që Laçi është në këtë ecuri mjaft pozitive, që nga presidenca, klubi, stafi dhe skuadra, por edhe tifozët tanë.

A është ky kulmi i Guindos në Kategorinë Superiore?

Patjetër që po, jam në një klub me mentalitet fituesi, që vitet e fundit ka arritur të lërë gjurmë në kampionat, e madje duke fituar edhe trofe rregullisht. Fundi i sezonit do ta tregojë më së miri këtë gjë.