Para disa muajsh Hysaj shihej shumë pranë largimit nga Napoli. Menaxheri i tij e kishte bërë të qartë se mbrojtësi do të largohej dhe klubet e Romës, Torinos e Sevijas nisën ofertat e tyre në drejtim të kapitenit të kombëtares sonë, kontrata e të cilit përfundon verën e ardhshme.

“Football Italia” raporton se marrëveshja mes Hysajt dhe Napolit është shumë pranë finalizimit me sukses për rinovimin e kontratës.

Paga e Hysajt do të jetë rreth 2.2-2.8 milionë euro. Shkodrani do të firmosë deri në verën e vitit 2025, kur do të ketë mbushur 31-vjeç.

Bëhet me dije se Hysaj ka patur një bisedë me Gatuzon dhe trajneri i ka shprehur mbrojtësit pëlqimin e tij për të qëndruar dhe rëndësinë e shkodranit në skuadrën e kaltër.

Ndërkohë, vullneti i Hysajt është të qëndrojë, diçka që e pohoi edhe në intervistat e zhvilluara gjatë grumbullimit të kombëtares për ndeshjet e Nations League. /vipsport/