Vllaznia është në buzë të ‘greminës’ këtë sezon ku duket se është shumë pranë rënies nga Superliga.

Me 2 pikë pas dyshes Kamza dhe Teuta dhe me një kalendar ‘ferri’ në tre ndeshjet e ngelura, gjithçka bëhet e vështirë për shkodranët.

Kështu mendon edhe një emër i njohur i futbollit shkodran si Albert Kaçi. Ish-mesfushori që në sezonin 2005-2006 është shpallur kampion Shqipërie me Elbasanin e parashikon shumë të vështirë këtë periudhë për Vllazninë, por thekson se shpresa nuk duhet humbur.

Në prononicimin e tij për Newsport.al, Kaçi shprehet: ” E çfarë mund të them unë për Vllazninë ?

Me të vërtetë nuk di çfarë të them në këto çaste. Është e paimagjinueshme ku ka përfunduar Vllaznia, nga një ekip që gjithmonë pretendonte për kampion, në një ekip që thuajse është i rënë nga kategoria.

Luajmë kundër 3 ekipeve më të mira të Superligës në këto javë dhe i dimë që ata kanë diferencë me skuadrën tonë.

Vetëm ndonjë ‘mëshirë’ e tyre që tashmë duket se i kanë realizuar objektivat e tyre mund ta ndihmojë Vllazninë të mbijetojë.

Më vjen keq pasi kishim mundësi të merrnim 6 pikë kundër Flamurtarit  dhe Kamzes dhe u morën vetëm 2, kjo është ajo që e penalizon shumë këtë skuadër.

Të shpresojmë të na bjerë ndonjë gjë nga qielli dhe që një ekip i madh si Vllaznia të mos bjerë nga kategoria, shpresa vdes e fundit thonë.”/newsport/