Gilman Lika fut në “skaner” Vllazninë. Një gjykim konkret për këtë ekip mund ta japë vetëm pasi të luhen dy ndeshjet e para në Konferencë Ligë, e megjithatë optimist është. Ish-kapiteni vlerëson besimin që po i jepet elementit të ri, por evidenton se duhen gërshetuar si duhet dhe paralajmëron se kalimi i turit kërkon… muskuj.

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ishkapiteni flet edhe për merkaton dhe domosdoshmërinë për një mesfushor me tipare sulmuese. Trajneri kampion dhe fitues i Kupës me U-17, ka një koment edhe për punën e Migen Memellit.

Gilman, si e shikoni këtë Vllazni?

Nuk e kam parë ende në ndonjë ndeshje zyrtare këtë skuadër për të dhënë një gjykim konkret. Besoj se pas dy ndeshjeve do të kem një mendim më të qartë.


Skuadra është ndërtuar me elementë të rinj. Jep garanci kjo gjë?

Unë kam qenë gjithmonë mbështetje për të rinjtë, por duhet kujdes. Nëse gërshetohen si duhet me eksperiencën, do të ishte super. Kjo do t’i ndihmonte edhe më shumë ata.

Po afron ndeshja e parë në Konferencë Ligë. Si e parashikoni përballjen kundër Linfildit?

Mendoj se do të jetë një përballje e vështirë, por që mund të kalohet.

E keni ndjekur ndonjëherë kundërshtarin apo keni informacion për ta?

Me aq sa e kam parë, them se është një ekip shumë i mirë në aspektin fizik dhe pa ndonjë kualitet të veçantë. Shpresoj që edhe ne të jemi në gjendje të mirë fizike. Kam besim te puna që po bën profesor Migeni, i cili mendoj se do të përballojë edhe armën e tyre më të fortë.


Kë shihni si pikën më të fortë të Vllaznisë?

Nuk mundem të jap një gjykim për këtë, sepse është ekip thuajse i ri. Gjithsesi, kam besim tek eksperienca e Bekimit (Balës) dhe të mos harrojmë që duhet ta furnizojnë dhe t’i krijojmë raste që edhe ai të na ndihmojë, falë eksperiencës që ka.


Me këtë kontingjent a mund të jetë Vllaznia pretendente?

Këto dy ndeshje do të na krijojnë panoramë më të qartë. Shpresoj që t’u krijohet sa më shumë mundësi të rinjve, sepse klubi ka nevojë që t’i kthehen strategjisë së vjetër dhe të nisë shitjen e lojtarëve. Dhe elementët me shumë kualitet në akademinë “Vllaznia” nuk mungojnë.

A ka më nevojë për përforcime kjo skuadër?

Mendoj se ka vend edhe për ndonjë lojtar mesfushor me aftësi sulmuese. Sidoqoftë, pas Linfildit do të kuptojmë se ku ka nevojë ekipi të përforcohet.