Kampionati Kombëtar i vajzave tashmë ka hyrë në një fazë mjaft delikate, teksa këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 14-të, ndërsa kanë mbetur vetëm katër javë nga ulja e siparit të këtij edicioni spektakolar.

Edhe kjo javë e 14-të premton sfida mjaft interesante, teksa spikat takimi Partizani – Vllaznia. Të kuqet vijnë pas humbjes 2-0 me Tiranën javën e kaluar. Ndaj shkodraneve, të besuarat e Ylli Shehut do të tentojnë të bëjnë surprizën. Nga ana tjetër, Vllaznia nuk do të tolerojë aspak, teksa në 13 javë kampionat nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe do të kërkojë tre pikët e radhës të dielën e 23 prillit në ‘shtëpinë e Partizanit’.

Ndërkaq, Laçi – Tirana do të ngrejë siparin e javës së 14-të. Kryeqytetaset synojnë të marrin tre pikët e radhës, teksa janë favorite kryesore për të fituar këtë takim kundër laçjaneve. Ndeshja do të luhet këtë të shtunë në Shkodër në ora 13:00. Po sot, Apolonia e vendit të tretë do të përballet me Teutën në Durrës. Nuk lejohet hapi fals për fieraket në këtë takim, për të pretenduar vendin e dytë në kampionat për këtë edicion futbollistik. Ndeshja është programuar të luhet në Durrës në ora 11:00.

Sakaq, të dielën, vec kryesfidës Partizani – Vllaznia, do të luhen edhe dy takime të tjera. Kinostudio udhëton drejt Lushnjes, një takim i lehtë në letër për kryeqytetaset, të cilat synojnë një tjetër fitore radhazi në kampionat, pas triumfit të javës së kaluar ndaj Teutës. Ndeshja do të luhet në Lushnje ditën e diel, në ora 12:00. Ndërkaq, takimi i pestë i javës së 14-të është ai mes Skënderbeut dhe Kukësit, një ndeshje ku të dyja skuadrat do të luajnë për fitore. Takimi është planifikuar të luhet në Korçë në ora 14:00.

Kampionati Kombëtar i Vajzave


Ndeshjet e javës së 14-të

KF Teuta – Apolonia, 22.04.2023, ora 11:00

KF Laçi – Tirana, 22.04.2023, ora 13:00

Partizani – Vllaznia, 23.04.2023, ora 11:30

Lushnja – Kinostudio, 23.04.2023, ora 12:00

Skënderbeu – Kukësi, 23.04.2023, ora 14:00