Një lajm i mirë për Shkodrën dhe shkodranët. Kombëtarja e Maqedonisë ka zgjedhur këtë qytet për të zhvilluar përgatitjet e fundit për Kampionatin Europian ku do të marrë pjesë.

Bëhet fjalë për kombëtaren e boksit. Ajo ka mbërritur prej disa ditësh në qytetin tonë dhe është duke zhvilluar përgatitjet sëbashku me boksierët e kombëtares tonë në ambjentet e palestrës së klubit Vllaznia.

Në përbërje të kombëtares maqedonase bëjnë pjesë trajneri Mice Ristevski si dhe tre sportistë, Jasim Lama i peshës 60 kg, Lulzim Ismaili i peshës 69 kg dhe Goce Janevski i peshës 75 kg.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” trajneri Ristevski do të shprehej: “Arsyeja që jemi në Shkodër është se kishim nevojë që fazën e fundit të përgatitjeve për Kampionatin Europian ta zhvillonim bashkë me një ekip tjetër sepse sparingjet dhe stërvitjet e përbashkëta janë shumë të nevojshme në këtë periudhë.

Nisur edhe nga marëdhëniet shumë të mira që kemi me trajnerin Gjoni dhe me sportistët shqiptarë, vendosëm të stërvitemi bashkë me ta.

Na kanë pritur shumë mirë dhe padyshim që do të tentojmë të bëjmë më të mirën në Europian me boksierët tanë”.
© shkodrasport.com