Presidenti i FSHF-së Armand Duka është vlerësuar sot me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Sporteve të Tiranës.

Titulli iu dha Dukës me motivacionin “Për një kontribut të çmuar në promovimin e modeleve dhe praktikave më të mira në fushën e sportit, në veçanti futbolli”.

“Ndihem thellësisht i prekur dhe njëkohësisht i nderuar, për këtë ceremoni që keni organizuar ju sot dhe për vlerësimin e lartë që më keni bërë. Duhet t’ju them me sinqeritet, se ky është një moment shumë i veçantë dhe tepër emocionues. Njeriu në jete përpiqet, vendos objektiva, i realizon ato dhe kërkon më tepër.

Gëzohet për sukseset dhe trishtohet për mosrealizimet. E rëndësishme është që kur të kthesh kokën pas, të ndjesh kënaqësi për gjurmët që ke lënë, për të mirat që i vlejnë njerëzve, shoqërisë e vendit tënd.

Dhe pas gjithë këtyre, ndihesh mirë kur të vlerësojnë. Aq më tepër që vlerësimi me titullin “Doctor Honoris Causa” vjen nga profesorë të nderuar dhe stafi akademik i Universitetit te Sporteve”-ka thene ne fjalen e tij Duka.

Më pas presidenti FSHF-së është takuar me homologët e tij Agim Ademi (Kosovë) dhe Muhamed Sejdinin (Maqedoni e Veriut) ku biseduan për implementimin e sistemit VAR dhe në vendin tonë.