Goli i Lionel Messit kundër PSV Eindhoven e ndihmoi yllin argjentinas të kalojë Cristiano Ronaldon në një drejtim, në këtë garë, edhe pse do të ketë punë dhe rrugë të gjatë për ta thyer rekordin e portugezit, sa i takon totalit të golave në këtë kompeticion.

Duke shënuar golin e parë të Barcelonës në minutën e 61-të, Messi u ngjit në kuotën e 106 golave në Ligën e Kampionëve, me fanellën e Barcelonës. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” e tejkaloi rekordin e shumicës së golave ​në Ligën e Kampionëve, të shënuar nga një lojtar, për një klub, deri më tani.

Ky rekord mbahej nga Cristiano Ronaldo, me 105 gola, dhe ishte vendosur gjatë kohës së portugezit me fanellën e Real Madridit. Tani me Juventusin, Ronaldo do të ketë shumë pak gjasa të rikrijojë atë rekord, në çdo kohë.

Të dy mbeten ende në majë të listës së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të kompeticionit në fjalë, me Ronaldon që ka aktualisht 121 gola. Para ardhjes së Messit dhe Ronaldos, Raul ishte golashënuesi më i paarritshëm i kësaj gare, duke shënuar 71 gola me Real Madridin dhe Schalke.

Përveç tejkalimit të Ronaldos, goli i Messit ishte i 15-ti sezonal. Ai ka shënuar 15, ose më shumë gola në secilin prej 13 sezoneve të fundit. Messi ka shënuar tashmë 6 gola në Ligën e Kampionëve, këtë sezon.

Blaugranët do të kthehen në veprim këtë fundjavë, duke luajtur kundër Villarrealit në La Liga. Ata do ta mbyllin fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve me një ndeshje në shtëpi, kundër Tottenham, më 11 dhjetor.