Levandovski është pa diskutim numri nëntë më i mirë në botë për momentin. Me golin e shënuar të martën në mbrëmje kundër Suedisë, ai ka arritur shifrën e 51 rrjetave në këtë sezon me Bajernin dhe kombëtaren e vendit të tij. Por edhe kaq shumë gola të shënuar prej tij nuk e kanë bindur plotësisht Barcelonën për t’i ofruar një kontratë.

Në fakt prej ditësh gazetat spanjolle janë marrë me polakun. Madje, u fol dhe për një kontratë 4-vjeçare që Barça ishte e gatshme t’i ofronte sulmuesit polak. Po ashtu vetë presidenti Laporta në një deklaratë të tij nuk e fshihte mundësinë e firmës me të.

Por nëse nga Italia është bërë me dije se mes Levës dhe Barcelonës është arritur një marrëveshje verbale, ndryshe e shohin situatën në Katalonjë. E vërteta është se te Barcelona kanë rezerva në lidhje me sulmuesin aktual të Bajernit.

Të paktën kështu ka bërë me dije gazeta “Mundo Deportivo”. Sipas saj Barcelona i trembet jo pak moshës së lojtarit, i cili në gusht do të mbushë 34 vjeç. Barça synon të investojë te të rinjtë me Halandin në krye të listës ndaj Leva mund të shihet vetëm si një plan B.

Tjetra që shqetëson drejtuesit e Barcelonës është paga e lojtarit që llogaritet dikur mes 20 dhe 25 milionë euro në sezon, shumë për një 34-vjeçar.