Vllaznia u mposht në shifrat 3-2 ditën e djeshme në ndeshjen e javës së 19-të të Superiores përballë Erzenit. Në një moment kur pritej që shkodranët të reagonin pas humbjes kundër Bylisit një javë më parë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Një disfatë ku kuqeblutë e drejtuar nga Josa nuk arrijnë të përfitojnë nga hapat fals të kundërshtarëve si Tirana apo edhe Partizani.

Megjithatë përveç Males që ndoshta ishte më i miri i takimit mbrëmë në duelin kundër shijakasve, një tjetër lojtar që zhvilloi një performancë pozitive dhe madje që shënoi gol ishte edhe Fjoart Jonuzi. Kuksiani mund të cilësohet pa frikë si futbollisiti më në formë i shkodranëve në vitin 2023.

Për 26-vjeçarin ky ishte goli i tij i tretë në katër ndeshje të këtij viti në Superiore. Kështu pas rrjetave me Partizanin dhe Laçin, ish-futbollisti i Kukësit gjeti golin edhe kundër Erzenit. Duke u ngjitur kështu në kuotën e 4 golave personal në këtë sezon të Superiores, duke qenë kështu tek Vllaznia vetëm pas Hoxhajt që ka shënuar 5 herë dhe në kuotë të barabartë me Markun.

Po ashtu Jonuzi ka gjetur golin edhe në kupë në ndeshjen e parë të fituar kundër Bylis në shifrat 0-2, e po ta llogarisim vetëm për ndeshjet e këtij viti, ai ka shënuar 4 gola në 5 ndeshje në total. Shifra që realisht do i kishin zili edhe sulmuesit dhe që patjetër janë një bonus për vetë lojtarin, por edhe ekipin.

Jonuzi është një nga ata lojtarë që shfaqet pak në media, por që është shumë i rëndësishëm për ekipin dhe jo më kot ai është edhe futbollisti më i vlerësuar tek Vllaznia me një vlerë prej 325 mijë eurosh në merkato.
Endri ÇINARI