Nga Endri ÇINARI

Kampionati shqiptar do mbyllë fazën e tij të tretë këtë fundjavë dhe fillimin e javës tjetër. Raundi i 27-të i Superiores do jetë i ndarë në dy ditë mes të dielës dhe së hënës. Kështu gjithçka do hapet në ditën e fundit të javës me duelin e orës 14:00 mes Erzenit dhe Partizanit.

Një ndeshje që luhet për objektiva të kundërt kjo pasi shijakasit luajnë mbijetesën e ndërsa kryeqytetasit për titullin kampion. Një duel direkt është ai mes Tiranës dhe Egnatias. Në orën 17:00 të së dielës, bardheblutë në krizë do jenë kundër rrogozhinasve që po ashtu nuk po kalojnë momentin e tyre më të mirë në kampionat.

Faza e tretë do mbyllet të hënën me 3 ndeshje të tjera. Kukësi-Laçi në orën 14:00, ku duket se kuksianët luajnë shansin e fundit për mbijetesë e kurbinasit duan ti largohen zonës së ftohtë. Të hënën në orën 17:00 po ashtu një ndeshje interesante është ajo mes Dinamos dhe Teutës. Ku durrsakët së fundmi kanë një ngritje të rezultateve në Superiore.

Gjithçka e mbyll Vllaznia në fazën e tretë të Superiores, me transfertën korçare kundër Skënderbeut. Shkodranët që janë ekipi më në formë në kampionat do duan ti bëjnë një mbyllje sa më pozitive kësaj faze. Dhe sfidat e këtij edicioni flasin totalisht në favor të kuqebluve. Kjo pas një fitoreje të pastër në shifrat 0-2 në fazën e parë dhe një fitoreje spektakolare 5-0 në fazën e dytë në ndeshjen e luajtur në Shkodër./www.shkodrasport.com/