Marash Kumbulla u nis herët dje në mëngjes. Destinacioni ishte Tirana. Trajneri Edi Reja e ka ftuar për dy ndeshjet e radhës që Shqipëria do të luajë kundër Turqisë dhe Moldavisë.

Ky lojtar shpërtheu papritmas dhe tani duket vërtet i papërmbajtshëm. “Maks” është qendërmbrojtësi titullar i Veronës dhe të shtunën shënoi golin e parë në Serinë A që i dha fitoren Veronës në fushën e Sampdorias. Ka lindur në vitin 2000 dhe sapo ka mbushur 19 vjeç.

Është i fejuar prej dy vitesh me Gretën që jeton në Vilafranka. Deri në aeroport e shoqëron babai i tij, Lini, që ka një histori akoma më emocionuese sesa ajo e të birit që ka lindur dhe është rritur në Peskiera del Garda. Ky pra është mbrojtësi i talentuar që Italisë i rrëshqiti nga duart, sepse në fillim kombëtarja italiane nuk i besoi ashtu siç i pati besuar verbërisht potencialit të tij Klaudio Kalveti, ish-drejtor i të rinjve të Veronës, ashtu si Filipo Fusko dhe Fabio Pekia, që e patën trajnuar te të rinjtë dhe e bënë gati që ai të luante kaq herët në Serinë A.

Pekia i përshkruan me një fjali epike cilësitë e Kumbullës: “As në stërvitje nuk ua lë as ta shohin topin sulmuesit. Markon ashpër, shumë ashpër. Nuk është rastësi që nuk i dha asnjë shans Kualjarelës, golashënuesit më të mirë të Serisë A sezonin që shkoi”, thotë trajneri.

RESTORANTI – Familja Kumbulla na hap dyert e restorantit “Gustoza”, që është inauguruar në vitin 2012. Mimoza 37-vjeçare, nëna e mbrojtësit të Veronës, është ajo që gatuan makaronat me domate, që aq shumë i pëlqejnë të birit. Lokali është i familjes dhe e drejton në mënyrë shumë autoritare Sokoli, 29-vjeçari që është vëllai më i vogël i Linit.

“Jemi gjithsej 7 fëmijë. Jetojmë të gjithë në Itali, me përjashtim të motrës së vogël që është ende në Shkodër”, thotë Lini, babai i Marashit. Para se ai t’u gëzohet klientëve të shumtë që ka tani, kthehet shumë mbrapa në kohë, pikërisht në vitin 1994. Në fillim këtu në Peskiera (provincë e Veronës) erdhi vëllai i madh, Gimi.

Unë edhe vëllai im, i cili ka ardhur disa vite para meje. Kemi filluar si muratorë. Jemi të huaj që punojmë, Salvinit të cilit i kemi dhënë besim mund të jetë krenar për ne. Djali im ka të njëjtin emër si gjyshi i tij që nuk e ka njohur pasi ka ndërruar jetë në moshën 49-vjeçare pas një aksidenti me makinë. Shpresoj që Marashi të bëhet një kampion, ka mentalitetin e duhur për këtë.

Është i ndrojtur dhe serioz, mbase më shumë seç duhet. E bën veten që të respektohet dhe të gjithë e duan, ndoshta më shumë Rrahmani. Këtë verë ka punuar shumë mes pishinës dhe palestrës, pasi kishte një qëllim në vete. Fusko donte ta merrte te U 23 i Juventusit por Verona nuk u shqetësua dhe D’Amiko më tha se ky do të ishte viti i tij. Agjenti i tij, Xhani Vitali, i qëndron pranë dhe ka një kontratë deri më 2022 dhe gjithashtu Nike si sponsor”, u shpreh i ati i Kumbullës.