Ndeshja “derbi” e 17 vjeçarëve shkodranë në mes Vllaznisë dhe KF Shkodra dhuroi ndër të tjera emocione. Secili prej futbollistëve në fushën e lojës mundohej të bënte më të mirën e tij dhe në fund kanë gëzuar kuqeblutë me fitoren 2-0.

Kuptohet që në çdo ekip ka lojtarë të cilët bien në sy me paraqitjen e tyre dhe tek Vllaznia U17 në fakt dy ishin lojtarët që spikatën mbi të gjithë. I pari mesfushori dhe kapiteni i këtij ekipi Enes Papaj, i cili ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore jo vetëm shënoi një gol shumë të bukur, por edhe u dallua për grintën dhe karakterin e treguar në fushë.

Tjetri është Flori Spahija, një futbollisti i datëlindjes 22 mars 2003. E nisi si mbrojtës i majtë dhe e bëri në mënyrën e duhur këtë detyrë të dhënë nga trajneri por në pjesën e dytë kaloi si qendërmbrojtës.

Duke parë problemet që skuadra shfaqi në këtë pozicion, stafi teknik vendosi t’i ndryshonte vend Spahisë dhe 16 vjeçari e bëri edhe atë në mënyrë perfekte duke fituar të gjithë dyluftimet me kundërshtarin, i saktë në lojën në ajër, pozicional dhe shumë bashkëpunues me pjesën tjetër të ekipit.

Për të gjitha këto veçori ai mori edhe duartrokitjet e tifozëve, por edhe vlerësimet e specialistëve në këtë ndeshje. Por ajo që është më interesantja, një paraqitje e tillë e shkëlqyer ka ardhur pikërisht para syve të trajnerit të kombëtares U17 Elvin Beqiri i cili ka qenë i pranishëm duke e ndjekur këtë ndeshje.
© shkodrasport.com