Ka nisur vitin e kaluar me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë por maratona Shkodër- Ulqin po kthehet mesa duket në një ritual të përvitshëm. Ditën e sotme është organizuar edicioni i dytë i saj. Nisja ka qenë para Bashkisë Shkodër, pikërisht në pedonalen e re, menjëherë pas ceremonisë zyrtare të ngritjes së flamurit siç ndodh zakonisht më 28 nëntor. Për të marrë pjesë në këtë maratonë kishin ardhur edhe disa maratonistë të vjetër nga Tirana si Sotir Qirjaqi, Kajo Myftaraga etj. Po ashtu kanë qenë pjesmarrës edhe shumë atletë të klubit Vllaznia si dhe studentë të Fakultetit të Edukimit Fizik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Interesante ka qenë prania e një numri të madh garuesish nga Ulqini dhe zonat përreth tij. Ato kanë qenë të moshave të ndryshme dhe kjo i ka dhënë edhe më tepër bukuri kësaj maratone. Ai që i ka dhënë startin kësaj gare ka qenë pikërisht kryebashkiaku Lorenc Luka. Në fjalën e tij, ai ka deklaruar se maratona më shumë sesa një garë, është një urë lidhëse në mes dy vendeve dhe njerëzve të tyre aq më tepër në një ditë si kjo e Pavarësisë. “Jam i bindur se vitin e ardhshëm kjo Maratonë ka për të patur përmasa edhe më të mëdha në pjesmarrje sepse po kthehet në një traditë shumë të bukur dhe që besoj se do vazhdoj shumë gjatë”. Përveç autoriteteve të pushtetit lokal të Shkodrës dhe deputetëve të këtij Qarku, kanë marrë pjesë edhe deputetë nga Ulqini apo dhe autoritete të tjera të këtij qyteti të Malit të Zi të përbërë nga një popullsi shqiptare, të cilit kishin ardhur për të festuar bashkë me vëllezërit e tyre në Shkodër Festën e 101 Vjetorit të Pavarësisë.
© shkodrasport.com