© shkodrasport.com
Mark Kroqi do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë për meshkuj
Pas shumë kohësh pa trajner që nga dorëheqja e Artan Kalasë, Kroqi ka vendosur që të bëjë edhe rolin e trajnerit. Ky vendim ka ardhur sepse djemtë e volejbollit kanë të domosdoshëm një trajner në krye. Në këtë mënyrë shefi “Sport Klub Vllaznia” mësohet se i ka bërë disa ftesa figurave të volejbollit në Shkodër ndër vite por asnjë prej tyre nuk ka pranuar që të marrë drejtimin e volejbollistëve të Vllaznisë. Ftesa ka shkuar për emra si Gjino Mjeda, Sandër Leqejza apo edhe Petrit Jukni. Ky i fundit është shpallur fitues i Kupës së Republikës si trajner në vitin 1989 me volejbollistët e Vllaznisë. Duke parë kushtet jo shumë të përshtatshme dhe situatën në ekip pas trazimeve nga dorëheqja e teknikut Kalaja, ata kanë dhënë përgjigje negative duke refuzuar ofertën. Një mundësi ka qenë edhe sjellja e ndonjë trajneri të huaj por kjo nuk është bërë e mundur për shkak të kërkesave të larta ekonomike. Në këtë situatë emergjente pa trajner shefi i klubit shumësportesh Mark Kroqi nuk ka pritur më askend duke ndërprerë edhe tratativat dhe duke vendosur që ta marrë vetë drejtimin e ekipit të meshkujve të Vllaznisë në volejboll. Kuqeblutë kanë një bosht cilësor në përbërje por ajo që kërkohet është edhe një frymë më bashkuese brenda grupit. Trajneri i ri Kroqi pritet që të sjellë ribashkimin. Nga sa mësohet do vijojë që të marrë pagën vetëm si drejtor i “Sport Klub Vllaznia” ndërsa postin e trajnerit do ta bëjë pa një shtesë monetare duke dhënë një kontribut mbase nga pasioni i vjetër si ish-volejbollist i Vllaznisë, ndër më cilësorët.