Mosmarrëveshjet në mes Bashkisë Shkodër, Sportklub Vllaznisë dhe Shoqatës së Basketbollit Vllaznia duket se kanë marrë fund. Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se duke nisur që prej të hënës së ardhshme, të gjitha ekipet e basketbollit do të kenë mundësi të rinisin stërvitjen në ambjentet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.

Kjo nuk ndodhte prej gati tre muajsh si rrjedhojë e disa problemeve të krijuar në mes palëve, kryesisht për mungesë dokumentacioni e shoqatës së basketbollit me president Sokol Dibrën. Tashmë gjithçka është normalizuar dhe mes palëve nuk ka më asnjë problem. Drejtuesit e Bashkisë dhe Sportklubit kanë dashur të zbatojnë disa detyra të lëna nga auditi por edhe vendimet e Këshillit Bashkiak në lidhje me përdorimin e ambjenteve sportive. Sigurisht që mungesa tremujore e stërvitjes ka dhënë ndikimin e vet tek sporrtistët por e rëndësishme është që ky problem mori zgjidhjen e duhur dhe tashmë nuk do të jetë problem marrja pjesë e ekipeve të basketbollit në kampionatet kombëtare, çka në fakt deri dje ishte në rrezik.
© shkodrasport.com