Vllaznia deri tani është në “barazim” për sa i përket merkatos së janarit. Me ekipin është bashkuar vetëm mesfushori shkodran Arsid Kruja, ndërsa ende nuk ka gjë të saktë për sa i përket lojtarit tjetër që po stërvitet te kuqeblutë, pikërisht shkodranit të ri Hysenaj, i cili është ende pjesë e Partizanit.

Por, ky afrim deri tani ka barazuar numrin që tekniku Hasan Lika ka pasur në dispozicion. Nga ekipi momentalisht është larguar mbrojtësi i qendrës, Dan Ignat. Ai ende nuk ka mbërritur në Shkodër, ndërsa drejtuesit e ekipit shpresojnë se do të rikthehet.

Mbrojtësi mund të mos jetë më pjesë e skuadrës, duke krijuar edhe një shqetësim te stafi teknik. Deri në këto momente Vllaznia ka barazuar në merkato. Drejtuesit kanë premtuar për afrimin e një sulmuesi algjerian e të një mesfushori nga Maqedonia, pa llogaritur një sulmues të ri nigerian që u përfol nga akademia “Derby”. Por, deri dje asnjë nga këto lojtarë nuk janë parë t’i bashkohen ekipit.

PËRGATITJET – Vllaznia sot nis përgatitjet për takimin e parë zyrtar të këtij viti, atë që ka ndaj Kamzës për Kupë në Shkodër. Këto përgatitje do t’i nisin pas një ditë pushimi që kanë pasur dje. Vllaznia kishte programuar një takim miqësor me ekipin e Kastriotit, por krutanët kishin parashikuar një tjetër miqësore, duke bërë që drejtuesit e Vllaznisë të ndryshojnë planet.

Sot ekipi pritet që të ketë në fushën sportive “Reshit Rusi” një përballje brenda grupit. Pritet që ekipi të ndahet në dy pjesë dhe për më tepër tekniku Lika do të projektojë edhe skuadrën që do të përballet ndaj Kamzës. Me këtë takim do të nisë edhe java e punës anti-Kamza. Vllaznia ka si synim primar rikthimin në Superiore, por nga ana tjetër do të luftojë të shkojë sa më larg edhe në Kupë.