Milan fiton thellë 0-4 në fushën e Napolit dhe ngjitet në vendin e tretë, duke përfituar nga humbja e Interit një ditë më herët përballë Fiorentinës. Kuqezijtë ishin të papërmbajtshëm në stadiumin “Maradona”, ku i treguan forcën skuadrës që praktikisht e ka hipotekuar titullin e Serisë A, me të cilën do të përplaset gjithashtu në çerekfinale të Championsit.

Ndizet shumë shpejt sfida e stadiumit “Maradona”. Një aksion fantastik nga e djathta me protagonist Brahim Diaz u përmbyll me golin e Leaos, që kaloi pa vështirësi portierin Meret me një parabolë tepër të saktë, me topin që përshëndeti rrjetën, 0-1.

Në të 25-tën vjen dhe goli i dytë i shënuar nga Diaz, mbrojtja e Napolit lë për të dëshiruar. I papërmbajtshëm Rafael Leao. Portugezi, i asistuar nga Tonali, realizoi një tjetër gol fantastik, duke vallëzuar mes mbrojtjes së Napolit, 0-3.

Nuk ka ndërmend të ndalet Milani, Saelemaekers bën Messin dhe shënon të katërtin. Nje fitore qe ndoshta as vete pjestaret e tij nuk e kishin menduar, llogarit pastaj ato te Napolit.

Brahim Diaz dhe Rafael Leao ishin yjet e Milanit mbrëmjen e sotme, teksa portugezi u zgjodh edhe lojtari i ndeshjes nga “Flashscore”.

Si Diaz ashtu edhe Leao u vlerësuan me notën 8.5, ndërkohë që një paraqitje dinjitoze bëri edhe Tonali, që mori notën 8. Ndërkohë në krahun tjetër, te skuadra e Napolit, dy lojtarët me vlerësimin më të lartë rezultojnë Kvaratskelia me 7.3 dhe Anguisa me 7.1. Për sa i përket Rrahmanit, ai është vlerësuar me notën 6.1.