Ndodh edhe kështu. Vllaznia kishte përgatitur prishjen e kontratës me mesfushorin boshnjak, Elvedin Heriç, por ardhja e trajnerit Mirel Josa në muajin maj ndryshoi totalisht qëndrimin që klubi kishte për lojtarin. Heriç u afrua në verën e vitit të kaluar te kuqeblutë, duke firmosur një kontratë 2-vjeçare, ashtu si bashkëkombësi i tij, Zinedin Mustedanagiç.

Mirëpo, nëse ky i fundit iku duke lënë gjurmë vetëm në Kupën e Shqipëris, për Heriçin bileta konsiderohej thuajse e prerë me t’u mbyllur sezoni.

Gjithsesi, Josa ka parë te boshnjaku cilësitë e një futbollisti që mund t’i bëjë shumë punë Vllaznisë në vazhdimësi.
Menjëherë trajneri e riktheu 25-vjeçarin titullar, duke luajtur pikërisht nga minuta e parë në dy ndeshjet e kampionatit ndaj Egnatias dhe Kastriotit, e gjithashtu në finalen e Kupës kundër Laçit.

Kësisoj, “Panorama Sport” mëson se Josa ka pasur një bisedë me drejtuesit pas përfundimit të sezonit dhe nga lista e largimeve, ka hequr pikërisht emrin e Heriçit, duke konfirmuar se e pëlqen mesfushorin me tipare sulmuese dhe pritet ta aktivizojë sërish titullar në ndeshjet e Europës.

Pas largimit të Ardit Krymit, sipas të gjitha gjasave treshja e mesfushës së Vllaznisë në ndeshjen ndaj Universitatea Kraiovës do të Lorik Boshnjaku, Jonuzi dhe Heriç.