Ka provuar të luajë në disa kampionate, por shkëlqimin po e gjen në… Hong Kong. E kemi fjalën për sulmuesin shkodran Ndue Mujeci i cili vetëm pak ditë më parë u shpall kampion i kategorisë së parë në këtë vend të largët aziatik.

26 vjeçari që u formua tek shkolla e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë e më pas iu bashkua Akademisë Vllaznia, provoi të luante për pak kohë me Adën, para se të transferohej tek Ventspils në Letoni e më pas në Bullgari, Gjeorgji e madje edhe në Qipron turke, para se të kalonte së fundmi në Hong Kong tek Happy Valley.

Atje gjeti shkëlqimin e duhur duke shënuar shumë gola dhe duke e ndihmuar këtë skuadër të kthehej pas shumë vitesh në Superligën e këtij vendi.

Vetë Mujeci në një rrëfim për “Shkodra Sport” ka shpjeguar shumë gjëra në lidhje me skuadrën e tij aktuale, kampionatin e Hong Kongut dhe të ardhmen e tij, prandaj ndiqni më poshtë intervistën me të:

– Mujeci, urime për titullin kampion në Hong- Kong…

– Faleminderit.

– Një sezon i suksesshëm për Happy Valley por edhe për ju personalisht?

– Patjetër që ka qenë i tillë si për ekipin që u shpall kampion, ashtu edhe për mua personalisht. Kam shënuar 28 gola, kur kemi për të luajtur edhe ndeshjen e fundit të kampionatit. Kuptohet që me një ecuri të tillë, kam justifikuar edhe besimin e stafit teknik sepse jam edhe golashënuesi më i mirë i ekipit duke qenë 10 gola më shumë sesa i dyti në këtë listë.

– Do të vazhdoni të luani edhe sezonin e ardhshëm në Superligën e Hong Kongut me këtë skuadër?

– Ende nuk mund ta them me saktësi. Kontrata aktuale më mbaron në fund të këtij muaji. Mesa shoh, drejtuesit e klubit duan të më mbajnë dhe të më ofrojnë kontratë të re, por akoma nuk jemi ulur të bisedojmë në detaje për këtë gjë.

– Si ka qenë për ju ky sezon në këtë kampionat “të panjohur”?

– Mund ta cilësoj si perfekt. Fituam kupën dhe kampionatin dhe jam golashënuesi më i mirë i ekipit. Edhe në shifra, është ecuria më e mirë që kam patur deri tani në karrierën time.

– Si u prit titulli kampion nga tifozët e Happy Valley?

– Jashtëzakonisht mirë sepse rikthehet pas shumë vitesh në Superligë. Happy është ekipi më me emër në Hong Kong dhe vëmendja ndaj tij është shumë e madhe. Çdo ditë është edhe në epiqendër të vëmendjes së mediave dhe prandaj ky rikthim në Superligë ka marrë jehonën e duhur.
Gjergj KOLA