Pas fitores ndaj Vllaznisë në Shkodër, te Kastrioti është rikthyer atmosfera pozitive dhe besimi për një vazhdimësi të mirë në kampionat, me synimin për t’iu larguar sa më shpejt fundit të tabelës.

Të dielën krutanët luajnë sërish në transfertë, këtë herë ndaj Egnatias. Trajneri Emiljano Çela i bën llogaritë pa mesfushorin shkodran, Abaz Karakaçi, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Nga ana tjetër, rikthim i rëndësishëm është ai i Edon Hasanit, i cili ka shlyer pezullimin për kartonë. Mirëpo, një problem për stafin është dëmtimi që pësoi në ndeshjen e Kupës ndaj Tiranës mbrojtësi i krahut të djathtë, Eneid Kodra.

Aktivizimi i tij ndaj Egnatias është në dyshim dhe gjasat janë që do të mungojë. Gjithsesi, Çela i ka marrë të gjitha masat për të ndërtuar një formacion i cili do të sfidojë rrogozhinasit. Në fazën e parë Kastrioti mori një pikë në këtë transfertë, ndërsa këtë herë do të kërkojë të dalë me fitore.