Teuta ka mbyllur përgatitjet anti-Egnatia. Blutë u kanë dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen e radhës kundër Egnatias e cila luhet sot në orën 13:45 në Rrogozhinë.

Trajneri Renato Arapi dhe stafi i tij do të vuajnë vetëm dy mungesa për këtë takim, atë të Xheksonit dhe Hebajt, ky i fundit ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Kjo do të jetë një ndeshje e cila ka një rëndësi të veçantë për vetë pozitën që ka Teuta në klasifikim. Kujtojmë se në ndeshjen e fundit, ekipi durrsak luajti kundër Tiranës dhe nuk arriti të fitonte.

Ajo sfidë tashmë është harruar dhe te të besuarit e Arapit ka optimizëm dhe janë “të uritur” për të marrë një rezultat pozitiv përballë Egnatias.

TEUTA PËR TRI PIKË

Nëse Teuta arrin të fitojë ndaj Egnatias në transfertë, do të marrë vlerë të dyfishtë pasi do t’u largohet disi ekipeve që janë në zonën e ftohtë, por nga ana tjetër një rezultat negativ do të diskutonte seriozisht pozitat e Teutës.

Skuadrës së drejtuar nga Renato Arapi akoma i dhembin ato pikë të lëna njëra pas tjetrës, ndaj jo vetëm që nuk ka vend për nënvlerësim, por Teuta pritet të jetë shumë e fokusuar për të mos rrëshqitur në momentin më deciziv të kampionatit.

SKEMA

Siç dihet, Teuta nuk do ta këtë grupin të plotë ndaj Egnatias dhe trajneri Arapi pritet që ndaj rrogozhinasve të bëjë disa lëvizje në formacionin startues për të konsoliduar 11 lojtarët që do të luajnë në këtë ndeshje.

Në portë pritet të rikthehet Pano Qirko, ndërsa para tij do të rreshtohen Idrizaj, Qaqi, Jazxhi dhe Kotobelli, teksa në mesfushë pritet ta nisin, Aleksi, Daja dhe mbrapa do të tërhiqet edhe Emiljano Vila.

Ndërkaq, reparti i sulmit pritet të formohet nga Jahmir Hyka, L.Vila dhe dyshimi i vetëm është mes Kapllanit dhe Dacit. Gjithsesi, gjithçka pritet të vendohet vetëm në momentet e fundit të pragndeshjes.

Sakaq, tekniku pret që lojtarët të zbatojnë me përpikmëri detyrat që ai u ka dhënë dhe mbi të gjitha të jenë të përqendruar dhe të disiplinuar në fushë.

Arapi është i idesë që gjithçka mund të realizohet nëse gjithsecili bën atë çka i takon. Teuta do të bëjë të pamundurën që të rikuperojë në renditje.