Trajneri i skuadrës së Bylisit, Naxhi Shensoj është i fiksuar pas ambjentit sportiv në stadiumin e Shkodrës. Edhe dje, menjëherë pas ndeshjes së kupës me Skënderbeun luajtur në Korçë e që u mbyll në barazim 1-1, trajneri kosovar me origjinë turke përveçse ka folur për futbollin e luajtur, ka folur edhe për diçka tjetër, pikërisht atmosferën në stadiume. “Ke kënaqësi të madhe kur në ndeshje gjithçka është fair-play. Kështu ndodhi në Korçë në ndeshjen me Skënderbeun dhe një atmosferë të tillë kam hasur gjithnjë edhe në stadiumin e Shkodrës që mbetet një model për mënyrën si zhvillohen ndeshjet”- ka thënë ai. Deklarata e djeshme e Shansojt edhe njëherë tjetër tregon më së miri se ky njeri është i dashuruar me Shkodrën dhe me Vllazninë. Jo më kot, në verën e vitit të kaluar ai shprehu hapur dëshirën e tij për të marrë drejtimin e kësaj skuadre por drejtuesit e klubit kishin vendosur për Shpëtim Duron. Me Bylisin ka bërë një punë shumë të mirë teksa ka krijuar një skuadër shumë simpatike dhe për më tepër, është shumë pranë kalimit në finalen e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion. Ndërkohë në ndeshjen tjetër gjysmëfinale të kupës, siç dihet Kukësi dhe Laçi janë mbyllur në barazim 0-0 duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit të këtij turi për skuadrat që do dalin në finale të këtij kompeticioni.
www.shkodrasport.com