Në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës nuk ia doli të fitojë me ekipin e tij dhe të shpallet fitues i këtij trofeu, por Nikolin Qafarena mund të triumfojë në kampionat.

Madje, në dy ndeshjet gjysmëfinale ai ka spikatur duke qenë madje edhe pikëshënuesi më i mirë.

Për koinçidencë, shorti i gjysmëfinaleve të kampionatit ka dhuruar sërish sfidën Luboten- Peja, e cila diskutoi edhe finalen e kupës ku triumfoi e para që mori edhe trofeun.

Por në ndeshjet e kampionatit ka qenë tjetër histori. Ndonëse Luboten i Ferizajt vinte edhe me statusin e ekipit kampion në fuqi, Peja ia ka dalë ta mundë.

Në të dy ndeshjet, ajo ka arritur të fitojë me shifrat 3-1 si në Ferizaj ashtu edhe në Pejë.

Në këtë mënyrë, nuk ka qenë e nevojshme ndeshja e tretë në mes tyre dhe për këtë arsye, Peja e shkodranit Qafarena ka siguruar finalen për titullin kampion.

Ish-volejbollisti i Vllaznisë ndërkohë është shpallur pikëshënuesi më i mirë në dy ndeshjet gjysmëfinale me plot 63 pikë të shënuara. Nikolini ka shënuar 34 pikë në ndeshjen e parë dhe 29 pikë në të dytën.

Tashmë fokusi është përqendruar tek sfidat për titullin kampion. Përballë do të ketë ekipin e Prishtinës megjithatë tek Peja duken të vendosur për t’u shpallur kampion këtë sezon.

Ky do të ishte titulli i dytë rradhazi për Qafarenën pas atij të fituar vitin e kaluar me Vllazninë.
© shkodrasport.com