Teksa pritej që ditën e nesërme futbolli në Shqipëri të riniste pas një periudhë ndërprerje më shumë se dymujore, sot ka marrë një goditje të madhe duke qenë se futbollisti i Bylisit, Eridon Qardaku pasi i është nënshtruar testimit, mbrëmjen e djeshme është njoftuar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

Tashmë, duke qenë se duhet zhvilluar hetimi epidemiologjik, ndeshja mes Bylisit dhe Tiranës është vendosur në rrezik nëse do të zhvillohet apo jo, pasi lojtarët ballshiot duhet të kryejnë testimet.

Por, ja çfarë parashikon protokolli i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, në rast se një lojtar apo një pjesëtar i stafit rezulton pozitiv.

Në të nuk parashikohet mosluajtja e ndeshjes, por theksohet se lojtari i infektuar duhet të izolohet dhe pa nevojën që të karantinohet i gjithë ekipi.

Ndërkohë, parashikohet edhe se klubi që rezulton me lojtarë të infektuar duhet të bëjë të mundur sigurimin e një numri të konsiderueshëm futbollistësh për të bërë të mundur vazhdimin e garës. /VipSport/