Një gol që e fut në histori. Vetëm kështu mund të quhet goli që Zlatan Ibrahimovic bëri me Milanin e tij përballë Udineses. Sulmuesi suedez realizoi me 11-metërsh në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë dhe bëhet kështu lojtari më i vjetër që ka shënuar një gol në Serie A.

Në moshën 41-vjeçare e 166 ditë, Zlatan Ibrahimovic ka thyer rekordin që më parë mbahej nga një tjetër legjendë e Milanit, Alessandro Costacurta. Ky i fundit e mbante këtë rekord pasi kishte realizuar në moshën 41-vjeç e 25 ditë.

Në pesë lojtarët më të vjetër që kanë realizuar në Serie A janë gjithashtu edhe Piola (40 vjeç e 131 ditë), Vierchowod (40 vjeç e 47 ditë) dhe Francesco Totti (39 vjeç 364 ditë).

Por goli i Ibrahimovic nuk i ka mjaftuar Milanit per te dale me pike nga kjo ndeshje. Në pjesën e dytë, Milani provon të reagojë, por është sërish Udinese që godet. Këtë herë topin në rrjetë e çon Ehizibue që gjendet i pamarkuar në zonë dhe me lehtësi vulos rezultatin final të takimit. Minutat e mbetura nuk krijojnë shumë raste të pastra për shënim dhe rezultati qëndron i pandryshuar.

Një tjetër hap fals për Milanin që komplikon më shumë luftën për një vend në zonën Champions, ku tashmë mund të humbasë edhe vendin e katërt në rast të një suksesi të Romës. Nga ana tjetër Udinese ngjitet në vendin e tetë në kuotën e 38 pikëve dhe vazhdon të ëndërrojë për një vend në kupat e Europës