raziliani i Tiranës, Patrik, ishte sërish hero te Tirana. Ajo mori kreun falë një fitoreje të madhe në “Selman Stërmasi” kundër Egnatias. Vendosi një gol i brazilianit Patrik, i cili shënoi rrjetën e dytë radhazi, falë një asisti të Kristijan Toshevskit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti i kryeqytetasve foli për golin e dytë në kampionat dhe Brazilin e tij.

Lojtari luan si në qendër dhe në krahun e majtë. Sulmuesi është vetëm 24 vjeç, ndërkohë që lojtari ka një eksperiencë të madhe në Austri. Skuadrat ku ka luajtur Patrik janë disa: Admira Vaker, FK Kabala, SV Horn, Friburguense-RJ, Bonsucesso FC, América-RJ. Lojtari vlerësohet 300 mijë euro në merkato. Sezonin e fundit ai ka qenë te Kabala, ku është aktivizuar në 21 ndeshje, 8 në Bundesligën austriake, tri në Kupën e Austrisë dhe 10 me Kabalën në Azerbajxhan.


Një tjetër gol në kampionat, por këtë herë me një peshë të madhe atë të tri pikëve…

Jam i kënaqur që shënova. Jam i lumtur për tri pikët që mori skuadra. Më bëhet qejfi që fitoi ekipi. Shpresoj që të vazhdoj kështu me këtë ritëm. Të shënoj gola dhe të ndihmoj ekipin për objektivin që ka, titullin kampion.


Mendoni se ndeshja me Egnatian ishte ndeshja më e mirë që ka zhvilluar Patrik me Tiranën?

Edhe unë mendoj të njëjtën gjë. Tani është më e thjeshtë për mua. Jam përshtatur me shokët e skuadrës, me mënyrën e lojës dhe ndoshta gjërat po shkojnë në rrugën e duhur, pasi e kam më të lehtë. Edhe golin e shënova. Ishte gol i rëndë dhe them se kam luajtur mirë. Thjesht fituam dhe qëllimi ynë për të marrë vendin e parë u arrit.

Tani përpara keni Vllazninë. Sërish me një gol në sfidën para se të ndalet kampionati?

Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë. Jemi stërvitur dhe po stërvitemi gjithë javën për këtë ndeshje. Fokusi ynë është në këtë sfidë. Duam të fitojmë dhe të kemi revanshin tonë. Jemi në krye të kampionatit dhe nuk duhet të gabojmë. Do të kisha dëshirë të shënoja sërish.


Tani mund të themi që Patrik është përshtatur plotësisht me skuadrën dhe ambientin?

Them se po. Ndihem mirë. Edhe gjërat po shkojnë mirë. Jam i qetë. Ndihmohem nga të gjithë dhe shtyrja e tyre më bën të eci përpara dhe të përmirësohem. Sa shanse ka Brazili që të fitojë Kupën e Botës që zhvillohet në Katar? Shpresoj që ta fitojmë atë kupë. Nuk mund të them se sa shanse ka. Di të them që ekipin e kemi shumë të mirë, por do ta shohim…