Nga Fabiola CAKA

Nuk është e lehtë për një femër, e sidomos në një vend si ky i joni, të guxojë dhe të luftojë për ëndërrat e saj. Por nuk është as e pamundur. Këtë e tregon mjaft mirë trajnerja e ekipit të vajzave “Juban-Danja” U13.

Ajo quhet Loreta Jaku. E datëlindjes 13.04.1984, ajo ju ka bërë ballë të gjitha vështirësive, më kryesorja, mentalitetit të zonës ku ajo jeton dhe ka guxuar duke u bërë një ndër futbollistet e para në Shqiperi.

Ishte viti 2005, kur “Juban Danja” u krijua me disa femra të zonës aty afër fshatit të Jubanit, nga ka marrë edhe emrin.

Jaku me plot dëshirë si dhe me mbështetjen e familjes, pranoi të bashkohej me skuadrën e cila mund të themi se në atë kohë nuk ishte krijuar akoma.A ty ishte momenti kur filluan edhe sakrificat drejt rrugës së realizimit të dëshirës së saj.

Asaj i duhej të kujdesej për familjen të cilën e kishte krijuar më heret dhe njëkohësisht të stërvitej çdo ditë.

Pozicionohej në qendrën e mbrojtjes dhe ndryshe nga shoqet e saj Loreta nuk hoqi dorë nga sporti. Këmbëngulja e saj arriti ta bënte atë edhe kapitene të skuadrës ndër vite.

Derisa në vitin 2018, Jaku mori liçensën si trajnere dhe zuri vend në krye të ekipit të moshave të së njëjtës skuadre ku ajo jetoi dëshirën e saj.

Sot, pas plot 16 vitesh, Loreta numëron disa trofe me “Juban-Danjën”, si kapitene e skuadrës gjithashtu dhe momentalisht vazhdon të trajnojë vajzat për mosha të “Juban-Danjës. Një rrugëtim ky i cili do të mbetet gjatë në memorien e futbollistes shkodrane.