Pasditen e së enjtes ka qenë i pranishëm në tribunën e “Elbasan Arena” për të ndjekur ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra në mes Vllaznisë dhe Apolonisë dhe në fund i ka dorëzuar kupën kapitenes së ekipit shkodran Ardiola Raxhimi.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka pas ceremonisë ka folur për mediat, teksa një gjë të tillë e ka bërë edhe për “Shkodra Sport” teksa i është përgjigjur pyetjeve të bëra. Ndiqeni më poshtë intervistën e tij:

– Zoti Duka, kur jeni shprehur se jeni tifoz me Vllazninë, e keni patur fjalën për Vllazninë e femrave, një skuadër që veç di të fitojë?

Unë jam tifoz me Vllazninë në përgjithësi, por siç duket Vllaznia e femrave është tifoze me mua, sepse djemtë nuk i janë përgjigjur njëlloj tifozllëkut tim me klasifikimin. E gjithë Shkodra është djepi i futbollit shqiptar dhe kjo nuk është një fjalë e thënë në mënyrë të rëndomtë. Aty ka gjithmonë futbollistë cilësorë, aty ka lëvizje futbollistike, pavarësisht se ekipi i parë këto vitet e fundit ka vuajtur për pikë, megjithatë ia vlen të jesh tifoz me Vllazninë.

– I keni qëndruar pranë ekipit të Vllaznisë së femrave, qoftë për kualifikimin vitin e kaluar në Champions Leagua apo dhe me urimin tënd pak ditë më parë për titullin kampion të rradhës. Keni bërë detyrën apo dhe diçka më tepër?

Shiko, ne duhet të falenderojmë këtë ekip, vajzat e tij për atë që kanë bërë, e po ashtu edhe vajzat e Fierit që mbërritën deri në finale duke konfirmuar hedhjen e një hapi të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të femrave në vendin tonë. Ato janë bërë avanguardë edhe për skuadrat e tjera, një shembull për t’u ndjekur. Vajzat e Vllaznisë na kanë nderuar në Kupat e Europës dhe për këtë, ne duhet të jemi krenarë dhe ato na kanë mbështetur ne dhe jo ne ata.


– Sot ka festë në Shkodër për Vllazninë e femrave, por deri të dielën do të jenë në ankth për Vllazninë e meshkujve…

Unë mendoj se festë do të ketë edhe të dielën sepse luhet një ndeshje e rëndësishme, “derbi” me Lezhën. Mendoj se mbase i ka munguar shkodranëve dhe lezhjanëve një “derbi” i tillë. Më vjen keq që nuk do ta ndjek këtë ndeshje nga stadiumi për shkak të kushteve që janë krijuar tashmë, por do ta ndjek me interes nga ekrani i televizionit. Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe sigurisht që dikush nga Lezha e lart do festojë, por se kush duhet të presim derisa të mbarojë loja.