Ish-sekretari i FSHF-së, Eduart Prodani, e ka cilësuar si shumë të rëndë bojkotin e klubeve të Kategorisë Superiore. Në një lidhje live për emisionin “Rubrika Sportive”, Prodani, e shikon si të ekzagjeruar përpjekjen e klubeve, sipas tij, kjo lëvizje është me karakter politik.

“Fjala bojkot është shumë e rëndë në futboll. Vite më parë, tentativat e bojkotit janë ndaluar me të gjitha format. Unë do ta shikoja si një ekzagjerim të kësaj përpjekjeve të klubeve të futbollit. Edhe po të kishte vullnet të plotë nga ana e qeverisë nuk do të kishte kohë për t’u ulur në negociata.

E shikoj si një lëvizje me karakter politik dhe elektoral. Po futemi në kohë zgjedhjesh. Të gjithë kemi të drejtën tonë. Unë mendoja qe kjo lëvizje do të udhëhiqej nga persona që nuk paragjykohen politikisht.

Liga Profesioniste është një sindikatë, që nuk e di a është e regjistruar apo jo. Ajo është e aktivizuar tani. Ligjet e sponsorizimeve, janë një nga shtyllat ku mbështet sporti. Pse nuk është këmbëngulur 5 vjet më përpara, por tani?

Çdo shtet bën politikat e veta dhe ka rrethanat e caktuara. Të fitojë shoqëria të fitojë dhe futbolli. Janë kërkesa tipike sindikatash. Futbolli shikohet si një ndërmarrje biznesi, por nuk është ekzaktësisht i tillë”, u shpreh Prodani.