Përgatitjet për sezonin e ri kanë nisur tashmë në çdo akademi dhe ajo që dallohet qartë është se nga viti në vit, shihet një përmirësim i punës, plotësim i organikës dhe poashtu edhe përmirësim i kushteve të punës. Akademia e KF Shkodra duket se përveç rezultateve pozitive edhe në sezonet e kaluara, në këtë sezon që do të nisë pas pak javësh, do të ketë edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë Vllaznia, në nivel moshash dhe akademish.

Në këtë sezon, ekipet e Akademisë Shkodra do të synojnë nxjerrjen dhe prodhimin e talenteve cilësore, që kësaj akademie nuk i kanë munguar ndonjëherë. Një nga drejtuesit e këtij klubi, Rudi Piraniqi, në një intervistë për “Shkodra Sport”, i ka bërë edhe një rezyme të gjithë ecurisë së KF Shkodra në vitet e fundit.

Piraniqi u shpreh se nuk ia kanë lakmi asnjë ekipi në Shqipëri për futbollistët cilësorë, ndërsa theksoi se është krenar për punën e bërë ndër vite me këto mosha nga ai dhe babai i tij, Taip Piraniqi.

“Sa për ecurinë, nuk ia kemi lakmi asnjë ekipi në Shqipëri për futbollistët cilësorë që ka nxjerrë ky ekip, por jemi me shans se këtë luks na e ka dhuruar qyteti i Shkodrës.

Akademisë tonë nuk i kanë munguar kurrë talentet dhe shpresoj mos t’i mungojnë asnjëherë. Ne kemi disa futbollistë që pretendojmë dhe kemi bindjen se do i shohim si protagonistë në nivele të larta në të ardhmen, por kemi edhe futbollistë që me punën tonë dhe vullnetin e tyre, do t’i shohim në të njëjtat kategori të larta.

Puna jonë asnjëherë nuk do ndalet për sa i përket zbulimit dhe zhvillimit të talenteve. Për momentin, kemi të gjitha moshat, nga U-9 deri te U-19.

Në një akademi futbolli ku janë të gjitha ekipet, përjetimet janë nga më të ndryshmet. Megjithatë, duke parë rezultatet në fund, kur puna shpërblehet, ne, qoftë unë apo edhe babai, ndjejmë gëzim, që na bën të jemi gjithmonë e më shumë krenar për talentet e KF Shkodrës”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, drejtori teknik i Akademisë Shkodra, Rudi Piraniqi.
Maringlen ZHIVANI