Samuel Nikaj është padyshim një prej trajnerëve shkodranë dhe shqiptarë më të përgatitur të momentit. Kudo ku shkon si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë së fundmi, ka recetën fituese për të shpallur kampion ekipet që kërkojnë të futen në elitë.

Megjithatë, më pas do të vijë gjithmonë i njëjti vendim, për t’u larguar. Një tjetër vlerë kjo e Nikajt, që me largpamësinë e tij, parashikon saktësisht edhe fatin se çfarë do të ndodhë pas një viti. Jo vetëm duke iu gëzuar fitores së momentit, por edhe duke menduar me detaje të ardhmen.

Aktualisht te Vushtria ka të njëjtin objektiv, për ta dërguar këtë skuadër në Superligë. Gjatë një interviste për “Shkodra Sport”, trajneri shkodran ka folur edhe në lidhje me problemet dhe situatën aktuale që ka Vllaznia.

“Në përgjithësi deri tani, kemi bërë një sezon të kënaqshëm. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe 100-vjetori i klubit të na gjejë në Superligë, por e rëndësishme është që në qytet kemi rikthyer entuziasmin pas dy viteve, kur skuadra kishte prekur fundin.

Largimet nga ekipet në fund pas suksesit? Thjesht, në te gjitha rastet kemi pasur mendime të ndryshme me drejtuesit. Unë me dëshirën për të ruajtur boshtin dhe me ndonjë përforcim cilësor, ndërsa drejtuesit me ide, që të marrin sa më shumë lojtarë të rinj, të ndikuar nga ambienti i jashtëm.

Normalisht që, Vllazninë e ndjek. Këtë sezon, pritshmëritë kanë qenë më të mëdhaja, nisur nga suksesi i vjetshëm. Përformanca deri në këtë pikë të sezonit, ka qenë mbi mesataren. Vllaznia është ende në garë për objektivat minimal, që është Europa dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë, sepse për titull kanë humbur shumë terren dhe nuk bëhet më fjalë.

Vllaznisë mendoj i ka munguar ekuilibri, pasi jemi ndëshkuar shpesh në tranzicionin negativ, por edhe disa gabime individuale, shpesh na kanë kushtuar me humbjen e disa pikëve. Unë besoj që trajneri Plori do e rregullojë këtë pjesë, pasi më mirë të kemi një ekip më pak spektakolar dhe koefiçenti i pikëve për të ndeshje pas ndeshje të rritet.

Sa i përket fazës sulmuese, kam vetëm fjalë të mira, duke filluar që nga mbrojtësit, të cilët ndërtojnë aksione nga poshtë dhe duke përfunduar tek sulmuesit, që për mua janë treshja më e mirë e kampionatit.Tek ekipi i parë i Vllaznisë, kam kaluar një sezon si zv/trajner, por edhe pesë ndeshje kam drejtuar si trajner i përkohshëm.

Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe ndihem i plotësuar në këtë aspekt, pasi edhe ato ndeshje, kam pasur fatin që kemi luajtur përballë skuadrash të forta si Tirana, Partizani dhe Kukësi. Në të ardhmen, gjithcka mund të ndodhë, por me rëndësi është që nuk do më mbetet peng, pasi ruaj kujtimet e atij sezoni”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vushtrisë, shkodrani Samuel Nikaj.
Maringlen ZHIVANI