Opinion nga Senad NIKSHIQI

Ka kohë që të paktën ne gazetarët, ende pa filluar Kampionati e kemi ditur qe edhe Vllaznia e sivjetshme nuk do jetë nga ata anijet gjingnde që mund ta kapë e para fundin e garës. Edhe pse bindja jonë ka qenë e ndryshme, në ato çfarë janë raportuar secili është munduar të tregohet profesionst duke suportuar ekipin, blerjet e shumta dhe fjalët optimiste të drejtuesve. Janë zhvilluar katër ndeshje, të mjaftueshme për të kuptuar se edhe kësaj here kuqeblutë nuk do gëzojnë ditët e tyre më të mira, përkundrazi.

Barazimi i fundit me Apoloninë solli edhe një analizë mëse të nevojshme e cila zhvillohet pothuajse pas çdo ndeshje. Kësaj here ishte më e rëndësishme se çfarë do të kishte brenda për vete situatën e Vllaznisë në këto ditë. Trajneri Duro ndër të tjera, ka kritikuar mjaft ashpër futbollistët e tij madje edhe veten duke ju thënë: “t’ju vijë turp për atë barazim, ju dhe mua bashkë me ju”. Fjalë të cilat sot timonieri i Vllaznisë përmes një gare të pandershme mediatike i mohon kategorikisht.
Në fakt Duro duhet të mendohesh mirë se çfarë ke thënë sepse aty kanë qenë të gjithë futbollistë, 25 apo 30 vetë, po të shtojmë stafin tënd bashkë me ndonjë tjetër rreth e rrotull bëheni më shumë. Ta kujtojmë këtë për të treguar se kjo është lehtësisht e besueshme dhe e vërtetueshme. Mund ta mohosh pambarimisht por thjesht gënjen veten. Jo ne, as publikun. Të gjithë kanë qenë aty. Të gjithë kanë familjarë, kanë miq, kanë të tjerë përsona me të cilët komunikojnë dhe të tilla gjëra përhaåen me shpejtësinë e erës. Duhet të jesh i kënaqur Duro me kaq sa gazetarët marrin përsipër të publikojnë, sepse ata dinë shumë më shumë por nganjëherë frenohen jo nga dashuria për ty por nga ajo për Vllazninë.
Ky reagim vjen në kushte normale Duro sepse komuniteti gazetarëve nuk mund të pranojë fyerje të tilla që ju mund t’i lëshoni sipas dëshirës. Këtu jeni në Shkodër. Mes tjerave është edhe djep i gazetarisë. Ka prodhuar emra të shquar të cilët na e lanë trashëgimi këtë profesion dhe mundohemi ta ushtrojmë sa më mirë. Këtu nuk jeni në Korçë as në Kavajë apo ndonjë qytet tjetër, jo se kemi gjë me qytetet por ndoshta kanë një tjetër mënyrë punë që mund t’ju shkojë për shtat. Jo, jo ! Koha ka treguar që gazetarët nuk gabojnë. Para teje i nderuar trajner i Vllaznisë e provoi Agim Canaj por pak ditë u deshën për të kërkuar falje nga ana e tij. E provoi edhe Rudi Vata por sërish pak ditë i mjaftuan për ta kuptuar se faji nuk është tek gazetarët. Je i lirë ta provosh edhe ti por sigurisht nuk do kesh rrugë tjetër, vëtëm atë të dy paraardhësve të tu. Ne nuk jemi gënjeshtarë siç ju po na bëni Duro, por kemi një mision deri në kufijtë e të shenjtës për të qënë pranë publiku të drejtë e të saktë. Drejtësia nuk është dashakeqësi apo diçka tjetër që ju mund të mendoni.
Të ndalem pak tek intervista juaj dhënë sot për “Sport Ekspres”. Thoni që “nuk kemi pikët e duhuara, skuadrës i duhet kohë”. Deri kur duhet të presim ? Nuk ju ka mjaftuar koha? Keni pasur gjithë kohën e duhur, mjaftueshëm për ta konsoliduar ekipin për këtë sezon që ende në nisje, ju (Vllaznia) keni mbetur shumë prapa. Thoni që “është fillimi”. Ne themi që “fillimi i mbarë gjysma punës”. Edhe pse katër javë, ju lejohet ta quani “fillim”, por në këto katër ndeshje, tabloja e Vllaznisë është e qartë për të kuptuar se deri ku mund të shkojë në këtë sezon. Titullin kampion harrojeni, pse jo edhe Kupën. Thoni që “në sulm kam lojtarë të aftë”. Sulmuesit e aftë shënojnë gola Duro. Siç bën Pejiç, Xhafa e tjerë shokë të tyre në vijën e parë. Për të mbetur tek turpi juaj, është e tmerrshme kur mendon që në katër ndeshje, tre gola mbajnë firmën e Smajlit.
Titulli Kampion thoni që “nuk është përmendur nga unë, Grima apo drejtuesit”. Ose keni mungesë informacioni ose gënjeni sërish Duro. Ju apo Grima mund mos ta keni përmendur por drejtuesit e kanë përmendur me të madhe, biles edhe në takimin me gjithë skuadrën dhe stafin para fillimit të Kampionatit. Kujtoni fjalët e kryebashkiakut Luka. Madje jo një herë por disa herë nga ana e drejtuesve është përmendur titulli Kampion si një mision që duhet arritur patjetër këtë sezon në Shkodër. Për këtë ndoshta sot jeni ju trajner i Vllaznisë. Nëse nuk keni diskutuar, diskutoni sa nuk është vonë me drejtuesit se pastaj do na përfundoni si çështja “Vata” që mori ngjyrat e negativitetit deri në institucionet e mëdha të sportit.
Flisni për tifozët. Kuptohet se ata gjithmonë për një skuadër si Vllaznia çfarë mund të kërkojnë tjetër përçse titullin Kampion. Ata kanë parë drejtuesit tepër optimistë, një bum lojtarësh të ardhur në merkato, premtime e gjëra të këtij lloji gjë e cila medoemos i ka bërë ata të mendojnë se Vllaznia kësaj here do jetë ndryshe. Nuk është faji i tyre. Jeni ju (Vllaznia gjithmonë) që nuk po i jepni atë që ata presin, gjithmonë nisur nga ajo çfarë i keni ofruar para nisjes së Kampionatit. Ju thoni “dy muaj kohë” apo që “nuk ndodh përditë të barazojmë. E vërtetë sepse mund të jetë me keq, të mundeni edhe nga të tilla ekipe si Apolonia që guxoni ti përafroni në një nivel me Vllazninë (ndoshta sot po) apo Tiranën e Skënderbeun. Sa për rrezikun në krye të Vllaznisë, mos u çudit shumë sepse miku yt Hasan Lika e pësoi shumë më shpejt seç mendohej. Nuk e urojmë këtë, por gjithçka do jetë në bazë të asaj çfarë do të na ofroni. Kartat janë të hapura për secilin.
Diskutoni edhe për merkatën apo skuadrën aktualisht. Të paktën këtë sezon nuk është ankuar kush për mungesë fondesh tek Vllaznia dhe për të parën herë tani po e dëgjojmë nga ana juaj. Ndoshta e keni edhe taktike siç rëndomë ndodh në vendin tonë. Gjithnjë justifikoheni me çështjen “fondi”. E përgjithësoni lehtësisht këtu dhe i dilni lehtësisht lakut apo pyetjes. Mund të mos ankoheni siç e shprehni qartë por nuk mund të thoni që keni 13-14 futbollistë cilësorë. është e thjeshtë. Cilësorët dinë të fitojnë ndeshjet. Gabojnë njëherë ndoshta por jo katër javë Kampion i nderuar Duro. Në gjykimin tonë keni vetëm 3-4 futbollistë cilësorë. Vujadinoviq, Smajli, Dragoi dhe Hajdari. Nga të tjerët nuk e dimë se cili është cilësorë aktualisht. Mund të kenë qenë, por nuk janë më. Duhen shuar notat nostalgjike sepse futbolli nuk i njeh. Nuk ka mëshirë për to.
Se si do të punoni me turp apo pa turp, është në dorën tuj. Ju sigurojmë që sa herë të citoheni nga grupi i gazetarëve të Shkodrës, absolutisht duhet të pyesni veten se nga ju ka rrjedhur informacioni e jo t’i beni gënjeshtarë gazetarët përmes fyerjeve tuaja. Ne jemi para jush me Vllazninë, do jemi edhe pas jush trajneri Duro. Do vijnë e do shkojnë shume dhe sërish do jemi aty, për të raportuar saktë mbi Vllazninë si e vetmja mundësi që kjo skuadër të arrijë sukseset.
Punë të mbarë e pa gënjeshtra z. Duro!