Peshëngritësi më i mirë shqiptar dhe njëkohësisht sportisti më i mirë shkodran edhe për vitin që lamë pas, Erkand Qerimaj e ka shprehur sërish hapur pakënaqësinë e tij në lidhje me neglizhencën që ka hasur tek drejtuesit e sportit dhe ata të Bashkisë në Shkodër. Në një intervistë ekskluzive për gazetën online “shkodrasport.com”, ai ka folur hapur dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë. “Kryetari i Bashkisë së Shkodrës duhet të marrë shembull nga kryetari i Bashkisë së Sofjes e ndonjë tjetër që i marrin sportistët shqiptarë dhe i shpallin kampionë bote. Këta tanë s’dinë me i mbajt sportistët shqiptarë që detyrohen të braktisin vendin e të ngrenë lart pastaj flamujt e vendeve të tjera. Kur ndodh kjo pastaj, të gjithë janë të gatshëm për t’i dhënë tituj, për t’i pritur në ceremoni të veçanta etj”-ka thënë ai ndër të tjera në intervistën për gazetën tonë. Ja si i është përgjigjur Erkand Qerimaj pyetjeve të bëra:

-Erkand, edhe për vitin 2011 jeni shpallur sportisti më i mirë i klubit Vllaznia. Megjithatë në ceremoninë e më të mirëve, keni shprehur hapur pakënaqësitë tuaja nga drejtuesve të pushtetit lokal në Shkodër. Pse?

-E kam thënë edhe në atë mbrëmje, po e them sërish edhe për gazetën tuaj. Kemi hyrë në vitin 2012, që është edhe viti i Olimpiadës dhe nuk shoh asnjë përkushtim nga drejtuesit e Bashkisë apo të kubit Vllaznia për mbështetjen e sportistëve cilësorë. Unë, të pakëtn jam i pari që e kam siguruar të drejtën e pjesmarrjes në Olimpiadën e Londrës dhe nuk shoh asnjë ngrohtësi, asnjë kusht për të më motivuar për t’u paraqitur mirë në këto aktivitete shumë të rëndësishme.

-Drejtues të Bashkisë megjithatë thonë se ju jeni sportisti më i paguar dhe nuk keni shumë të drejtë në pretendimet tuaj?

-Kjo nuk ka shumë rëndësi besoj unë. Edhe nëse jam më i paguari, këtu nuk më është bërë ndonjë privilegj. Klubi Vllaznia dhe Bashkia Shkodër thjesht ka zbatuar një vendim të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e sportistëve cilësorë. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mua. Kushte më të mira stërvitore dhe fiannciare duan të gjithë sportistët që premtojnë rezultate të larta. Të tjerët ndoshta nuk flasin sepse nuk kanë guximin e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Ato e dinë se po të flasin dhe po të kërkojnë këto gjëra, do penalizohen. Mund t’u hiqet trajtimi ushqimor apo mund të ketë ndonjë masë tjetër ndëshkimore ndërsa mua s’kanë se çfarë të më bëjnë dhe prandaj marr guximin dhe flas hapur. Por në Shkodër është interesante sepse ai që flet kundër Bashkisë e pushtetit lokal, konsiderohet kundërshtar dhe shihet me një sy jo të mirë. Kjo është absurde sepse thjesht po flasim për sport.Këtu nuk i duan sportistët cilësorë sepse ata kanë pretendime dhe kjo i shqetëson këta drejtues.

– Drejtues të sportit ndërkohë thonë se ju mungon vetëm një kondicioner në sallën e stërvitjes. Vetëm kaq ju mungon vërtetë?

– (qesh) Kondicioneri? Shikojeni me çfarë ngrohen shtangistët e Vllaznisë. Shikoni palestrën e cila që prej 6 vitesh kur është ndërtuar pasi dola kampion Europe me 17 vjeçarët me një investim të Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, nuk ka parë asnjë investim tjetër. Kemi një mungesë të theksuar të bazës materiale dhe jemi më keq se gjithë ekipet e tjera të Shqipërisë, pa përmendur edhe higjenën e sallë dhe shumë të tjera.Por drejtuesit e sportit për ta vërtetuar nëse vërtetë Erkandi ka pretendime të kota apo ato që thotë ai qëndrojnë, mjafton të bëjnë një vizitë të shkurtër në këtë palestër dhe do më japin të drejtë në ato çfarë them. Por më duket se e kanë më të lehtë të flasin nga zyra apo nga një ekran televizioni.

-Së fundi Erkand, ka nisur një vit i ri. Çfarë premtoni për sportdashësit shkodranë dhe atë shqiptarë për këtë vit?

-Do jetë një vit i mbushur me aktivitete shumë të rëndësishme. Duke filluar nga Kampionati Europian i të rriturve që do zhvillohet në muajin prill në Turqi dhe për të mbërritur tek evenimenti më i madh- Lojërat Olimpike të Londrës. Unë premtoj të arrij rezultate të larta në të dy këto aktivitete por natyrisht që duhet një vëmendje më e madhe ndaj nesh për përgatitjet. Prandaj dhe do jem i detyruar të shkoj për t’u stërvitur në ndonjë vend tjetër jashtë Shqipërisë, në Greqi, Itali apo në ndonjë vend tjetër sepse këtu nuk kemi as kushtet më minimale. Megjithatë premtoj se do bëj më të mirën për të nderuar veten, familjen time, Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.

Intervistoi: Gjergj KOLA