Scutari U19 ka humbur me goleadë ditën e djeshme, duke u mundur nga Kukësi në transfertë me shifrat 5-0. Ky rezultat ka qenë befasues, teksa pritej nga ana e Scutarit një ekip më i fortë në fushën e lojës. Të rinjtë e Kukësit kanë qenë të pamëshirshëm me shkodranët në ndeshjen e zhvilluar në kompleksin “Football Republic”.

Në minutat e para, skuadrat luajtën me shumë kujdes. Megjithatë, shumë shpejt Kukësi mori iniciativën dhe arriti të dominonte me raste. Për golin e parë u deshën 26 minuta lojë. Pas një aksioni, është Mata që kalon në avantazh blutë e Kukësit.

Pjesa e parë mbyllet në shifrat 1-0 për Kukësin. Në pjesën e dytë, goli i dytë vjen shpejt dhe ka për autor R. Shahun, në minutën e 49-të.

Këtu kuksianët fitojnë siguri në lojë dhe bëjnë spektakël. Scutari shthuret totalisht dhe është Mata që shënon edhe një gol tjetër dhe të dytin personal në minutën e 56-të.

Minutat kalojnë shpejt, teksa blutë e Kukësit humbasin raste të arta për shënim. Miqtë nuk e kanë forcën e duhur për të reaguar dhe është G. Shahu që nuk fal me një goditje, duke dërguar shifrat në 4-0 në minutën e 74-të.

Megjithatë, pas dy minutash mendon R. Shahu për të ndëshkuar sërish Scutarin, që i çon shifrat në 5-0, duke shënuar golin e dytë personal. Kështu, ky gol vulosi humbjen e Scutarit në transfertë ndaj Kukësit. Duhet thënë se Scutari U19 luajti me 10 futbollistë, pas daljes me të kuqe të Rexhës.Pas kësaj humbjeje, Scutari U19 renditet në vendin e shtatë në tabelën e klasifikimit me 22 pikë.
Maringlen ZHIVANI