Federata Shqiptare e Atletikës ditën e djeshme ka zhvilluar një ceremoni për të mbyllur vitin 2013. Natyrisht që në këtë ceremoni nuk mund të mos vlerësoheshin trajnerët dhe sportistët më të mirë të vitit. Dhe ndër ato që janë vlerësuar, kuptohet që një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe pjestarët e klubit Vllaznia. Kështu ndër tre sportistët e vlerësuar si më të mirët, nuk mund të mungonte padyshim kërcyesi i ekipit shkodran Izmir Smajlaj që ka qenë bashkë me Luiza Gegën dhe Adriatik Hoxhën si më të vlerësuarit. Po ashtu janë vlerësuar edhe të rinjtë më të dalluar dhe këto ka qenë bashkë me Ueda Gorencën e Suad Boshkun, edhe atleti i Vllaznisë Bajram Muça. Ndërkohë janë vlerësuar edhe trajnerët më të mirë teksa ndër 5 të përzgjedhurit, 2 kanë qenë të Vllaznisë, pikërisht Vildan Tufi dhe Fatjon Serhati. FSHA ka nderuar me një çertifikatë mirënjohje edhe ekipin shkodran për kontributin e dhënë gjatë vitit në arritjen e rezultave pozitive. Në këtë mënyrë, sportistët dhe trajnerët shkodranë marrin kësisoj një tjetër vlerësim. Ato patjetër që e meritojnë. Izmir Smajlaj konsiderohet një nga sportistët më me perspektivë të Shqipërisë dhe pretendenti kryesor për thyrjen e rekordeve në garat e kërcimeve. Përpos kësaj, të gjithë grupmoshat e klubit Vllaznia janë shpallur kampionë për vitin 2013 prandaj dhe një vlerësim i tillë është mëse normal nga krerët e kësaj Federate.
Gjergj KOLA

 

 

Izmir Smajlaj me Arben Mllojen ne ceremonin e “10 sportisteve me te mire te klubit Vllaznia per vitin 2013”