Abissnet Superiore do të rikthehet sërish në fushë në mesjavë, me sfidat e javës së 12 që do të ndahen në tri ditë të ndryshme, duke nisur të martën dhe përfunduar të enjten.

Kështu gjithçka do të startojë me përballjet Tirana-Kastrioti në Air Albania dhe Dinamo-Teuta në Elbasan Arena, të cilat do të startojnë nga ora 16:45.

Bardheblutë do të luajnë për fitoren e radhës, në mënyrë që të ruajnë pozitat në krye, ndërsa Dinamo do të provojë të kthehet te suksesi, për të harruar humbjen e thellë në Laç.

Të mërkurën në orën 16:45 Skënderbeu do të presë Egnatian në Korçë, me synim marrjen e tre pikëve dhe largimin nga fundi, pasi korçarët janë në vendin e parafundit me 8 pikë në 11 javë, ndërsa vlen të theksohet se edhe rrogozhinasit vijën pas dy humbjeve radhazi dhe do të kërkojnë reagimin.

Krye-ndeshja e javës është ajo mes Vllaznisë dhe Partizanit, që do të luhet të mërkurën në orën 16:45 në “Loro Boriçi’. Shkodranët kanë dalë hapur si pretendentë për titull, por për të mos humbur hapin e kryesuesve, janë të dënuar të fitojnë ndaj “të kuqve” të cilët nga ana tjetër kanë bërë mirë me dy fitore radhazi dhe kanë vetëm dy pikë më pak.

E enjtja do të dhurojë një tjetër përballje interesante, siç është ajo mes Kukësit dhe Laçit. Të dy skuadrat po kalojnë një moment mjaft të mirë, veçanërisht verilindorët, që po shënojnë shumë dhe dominojnë ndaj çdo kundërshtari, megjithatë edhe kurbinasit po shkëlqejnë nën drejtimin e Josës dhe janë gati të bëjnë befasinë.

Ja kalendari i plotë i javës së 12 të ABISSNET Superiores, me sfidat që mund t’i ndiqni live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport…

E Martë:

Tirana-Kastrioti 16:45
Dinamo-Teuta 16:45

E Mërkurë:

Skënderbeu-Egnatia 16:45
Vllaznia:Partizani 16:45

E Enjte:

Kukësi-Laçi 13:45